Thu, Oct 31, 2024

Lufta për drejtësi e viktimave të abuzimit seksual online

  • PublishedOctober 31, 2024

Pas ndarjes nga i dashuri vitin e kaluar, Besa, një vajzë rreth të njëzetave nga një qytet i Shqipërisë juglindore, e gjeti veten nën kërcënimin e vazhdueshëm se një video intime e saj do të shpërndahej në internet.

Fillimisht, asaj i mbërriti një mesazh nga ish-i dashuri që e njoftonte se në emrin e saj ishin hapur adresa false në Instagram. Më pas, personi pas profilit fals nisi ta kërcënonte me zotërimin e një videoje intime të saj, të cilën pretendonte se e kishte siguruar përmes pagesës.

“Në fillim mendova se po e bënte për të më mërzitur, por filloi të më përshkruante detaje si nishane, shenja në trup,” pohon ajo. “Dukej që ishte një person që më njihte shumë mirë,” shtoi Besa, e bindur se pas mesazheve qëndronte ish- i dashuri i saj.

Profile të reja vijuan të hapeshin në emrin e saj, herë në Instagram e herë në TikTok. Situata u bë serioze në momentin që personi pas këtyre adresave kontaktoi mamanë e Besës dhe i nisi një foto intime të së bijës, duke kërcënuar se “nuk do të ndalej me aq”.

Shpërndarja e fotografive apo videove intime pa miratim njihet ndryshe si abuzim seksual përmes imazheve dhe shkakton pasoja të rënda psikologjike dhe sociale për viktimat e targetuara. Pre e këtyre shantazheve mund të bëhet kushdo, por një studim i kryer nga “Cyber Rights Organization” nxjerr në pah se 90% e viktimave të targetuara janë vajza dhe gra.

Në Shqipëri, përmes imazheve raportohet si një fenomen shqetësues i viteve të fundit, i cili nuk ka kursyer as vajzat e mitura. Sipas Borjana Dines nga platforma i Sigurt.al – një platformë që mbledh denconcime për abuzimet në hapësirën digjitale, numri i denoncimeve për rastet e abuzimeve seksuale online kanë ardhur në rritje.

“Rreth 20% e denoncimeve te lidhen me materiale abuzive me përmbajtje seksuale ndaj të miturve, kryesisht vajza, të publikuara online. Në analizën tonë, kjo shifër nuk është e vogël, krahasuar me llojin e materialit që përmban,” tha Dine.

Ndryshe nga platforma iSigurt, numri i kallëzimeve të mbërritura në Policinë e Shtetit vazhdon të mbetet i ulët, me 89 raste të denoncuara gjatë viteve 2020-2023. Ekspertët e shpjegojnë numrin e ulët të denoncimeve me stepjen e viktimave, por edhe me mangësitë e legjislacionit për t’i adresuar siç duhet këto raste.

Zakonisht, krime të tilla referohen përmes nenit 121 të Kodit Penal, i cili parashikon si kundravajtje penale “ndërhyrjen e padrejtë në jetën private” me dënime që variojnë nga gjoba deri në 2 vjet burg. Ky nen ndalon regjistrimin, ruajtjen apo publikimin e të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të një personi pa pëlqimin e tij – pa marrë parasysh shantazhet apo kërcënimet me të cilat përballen viktimat.

Sipas Megi Reçit, studiuese pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, legjislacioni shqiptar nuk është i përditësuar për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut në hapësirën digjitale.

“Në Kodin Penal nuk ka një vepër penale specifike të parashikuar për abuzimin seksual përmes imazheve, inteligjencës artificiale apo teknologjive të tjera të avancuara,” thotë Reçi.

“Çfarë të duash unë e bëj”

Studime të shumta sugjerojnë se viktimat e abuzimit seksual përmes imazheve përjetojnë nivele të larta stresi, ankth dhe depresion, ndërkohë që jetët e tyre kthehen përmbys nga paragjykimi apo izolimi shoqëror. Ekziston gjithashtu rreziku që shumë prej tyre t’i nënshtrohen shantazhit, duke mbetur në rrethin vicioz të abuzimit.

Banore e një qyteti të vogël, Besa thotë se historia e saj u mësua nga të gjithë dhe i shkaktoi probleme si në marrëdhëniet e punës, ashtu edhe marrëdhëniet familjare. Ajo thotë gjithashtu se u izolua nga shoqëria, shmang ambientet publike dhe nuk poston pothuajse fare episode të jetës së saj në rrjetet sociale.

“Babi e ka përjetuar keq dhe më përmend gjëra joetike shpesh. Më thotë që po ta bëjnë me gisht kudo,” tregon Besa.

“Më ka ndikuar edhe në familje. Unë kam qenë e përkëdhelura e shtëpisë, gjithë kohës kur dilja e puthja mamin. Tani nuk i lejoj as të më puthin,” shtoi ajo, ndërsa theksoi se ishte gjithashtu shumë e kontraktuar dhe e kufizuar në njohjet me djem.

Në Kosovë, Albina ka përjetuar një histori të ngjashme me Besën pasi u nda nga partneri i saj në vitin 2020. Ajo thotë se u shantazhua përmes një videoje intime dhe nga frika e publikimit të saj u detyrua të takohej me ish-të dashurin disa herë pas ndarjes dhe të kryente marrëdhënie seksuale nën shantazh.

E gjendur në një situatë e cila po e dëmtonte mendërisht dhe fizikisht, ajo mori vendimin të mos takohet më me abuzuesin, por videot e saj përfunduan në internet.

“Ai publikoi në pornhub disa video. Filloi hapi instagrame,” tregon Albina. “Në atë moment kam thënë, ndalu, çfarë të duash unë e bëj,” tha ajo, ndërsa shtoi se abuzuesi i kishte kërkuar më pas edhe 8 mijë euro.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Albina tregon se ka pasur mendime të vazhdueshme për t’i dhënë fund jetës së saj.

“Kam qenë duke folur me personin me kamera dhe kam tentuar të hidhem prej katit të katërt. Deri në atë pikë kam arritur,” kujton ajo.

Albina thotë se vetëm pasi gjeti forcën për të denoncuar abuzuesin, kërcënimet u ndalën dhe ai u dënua me 9 muaj burg.

Në Shqipëri, Besa është gjithashtu në kërkim të drejtësisë ndërsa e denoncoi çështjen në Prokurorinë e Tiranës, por dosja u transferua në organin e akuzës së qytetit ku ajo jeton. Gjithsesi, denoncimi solli mbylljen e adresave false në emrin e saj, por Besa sërish nuk është e qetë.

“Sikur vetëm një foto të publikohet do më hapte sërish probleme…,” përfundon ajo.

*Emrat janë ndryshuar për të ruajtur identitetin e viktimave të abuzimit seksual në internet.