Thu, Oct 31, 2024

Pensionistët rikthehen si faktor politik

  • PublishedOctober 31, 2024

Disa dhjetëra pensionistë dolën në një protestë të rrallë mesditën e së mërkurës para selisë së kryeministrit ndërsa ky i fundit gjendej në Durrës për të folur me disa pensionistë të tjerë. Protesta e Tiranës u thirr nga , një parti e re që pritet të garojë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, bazuar në një platformë politikash të majta. Dhe një prej temave më të artikuluara të kësaj partie janë pensionet. Gjithsesi mbetet për t’u parë nëse pensionistët do të bëhen apo jo faktor politik. Ajo që është parë sakaq është që pensionistët po përmenden nga tre parti, nga Rama, i cili dukshëm po detyrohet të vihet në pozicion mbrojtës dhe në nevojë për të shpjeguar se pse pensionet janë të vogla, nga Berisha, i cili premton rritje me 20 për qind të pensioneve, duke mbështetur këtë në historikun e rritjes së herëpashershme të pensioneve gjatë mandatit të tij të parë, dhe nga Lëvizja Bashkë, e cila dukshëm po përpiqet të vë në pah hendekun mes pensionistëve të varfër dhe politikanëve të pasur.

“Fajin e ka biznesi”

Aktualisht në Shqipëri skema kombëtare e pensioneve financohet nga sigurimet shoqërore të paguara nga të punësuarit si dhe, në një masë jo të vogël, nga taksimi i përgjithshëm. Projekt-buxheti i vitit 2025 parashikon shpenzime në masën 192 miliardë lekë (1.9 miliardë euro) për pensione ndërsa kontributet e të punësuarve pritet të mbulojnë vetëm 76% të këtyre shpenzimeve. Pjesa tjetër do të paguhet nga qytetarët përmes taksimit të përgjithshëm, fjala vjen, TVSH apo akciza.

Në një përpjekje për t’i dhënë kuptim përmasave të problemit, kryeministri deklaroi në një rast se indeksimi i pensioneve, procesi që nuk i rrit pensionet, por që i vendos pensionistët në të njëjtën fuqi blerëse me një vit më parë, i kushtoi buxhetit 100 milionë euro. Ai pas kësaj akuzoi “biznesmenët” si përgjegjës për mosrritjen e pensioneve duke u përpjekur të argumentojë se punëdhënësit nuk deklarojnë pagat e plota që i paguajnë punëmarrësve, duke shmangur në këtë mënyrë detyrimet për sigurime shoqërore. Kryeministri nuk ofroi ndonjë analizë për përmasat e problemit por përdori gjuhë të ashpër, duke akuzuar “biznesmenët” si “vjedhës”.

“Çdo biznesmen që shmang deklarimin real të pagës, vjedh nga një pensionist. Me këtë ne do të arrijmë të kemi një kapacitet që të rrisim edhe pensionin”- tha ai.

Evazioni fiskal është një fenomen i perceptuar si gjerësisht i pranishëm në Shqipëri dhe është një fenomen të cilin, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, një zyrë, drejtori i së cilit emërohet nga kryeministri, ka për detyrë ta luftojë. Rama nuk dha shpjegime se pse, në vitin e 12 të qeverisjes së tij, biznesmenët lejohet të vijojnë të “vjedhin pensionistët”.

Kundërshtari i tij, , u frymëzua nga një vendim i qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur Ramës.

“Unë nuk po bëj gjë tjetër, vetëm po zotohem të aplikoj skemën që aplikoi qeveria e Kosovës, dhe mbi këtë bazë një rritje prej 20 përqind në varësi të kontributeve që kanë gjatë jetës së tyre”, -tha Berisha në një deklaratë për shtyp të shpërndarë për mediat nga shtëpia e tij, ku po vuan masën ‘arrest me burg’ me akuzat për korrupsion.

Për ekspertët e ekonomisë rritja e pensioneve është një detyrim i shtetit ndaj kësaj kadegorie, ndërsa i shohin premtimet politike vetëm si tentativa për joshtje elektorale pa ofruar zgjidhje reale për përfshirjen sociale të kësaj kategorie.

, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, i quan “groteske” justifikimet e Ramës për mosrritjen e pensioneve dhe premtimet e opozitës si “jorealiste”.

“Përtej argumenteve shterpe justifikuese deri në grotesk të z.Rama për arsyet e mosrritjes aktualisht të pensioneve apo të premtimeve jorealiste të segmenteve të caktuara të opozitës dhe përpjekjeve të tyre të përbashkëta thjesht për të joshur votuesit në rritje të kësaj kategorie, mendoj se janë të mundshme zgjidhje që vënë në provë seriozitetin e të dyja palëve, madje edhe duke ju larguar mashtrimeve të zakonshme të fushatave elektorale”- thotë ai.

Në një analizë për BIRN lidhur me këtë problematikë Preçi e sheh çështjen në plan human, ekonomik dhe financiar dhe sugjeron që debati publik e politik të jetë pozitivist dhe pa mashtrime publike.

“Në planin njerëzor, rritja në tërësi e mbështetjes për shtresat në nevojë, pensionistëve në veçanti duhet parë si një e drejtë e ligjshme e qytetarëve, si një marrëdhenie midis brezash, si një tregues i përgjegjshmërisë së shtetit ndaj qytetarëve taksapagues të vendit, ku bëjnë pjesë edhe këto kategori sociale”- thotë Preçi.

Në aspektin ekonomik, sipas tij, lidhet me mirëqenien e kësaj kategorie dhe si një shtysë për konsum.

Ndërsa në planin financiar, Preçi argumenton se përmirësimi i të ardhurave në buxhet kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve dhe shërbimeve duhet parë “si një mundësi objektive dhe detyrim i shtetit ndaj kësaj kategorie sociale”.

Preçi jep një sërë sugjerimesh për trajtimin me dinjitet të pensionistëve, që nga shndërrimi i indeksimit për inflacionin në një proces automatik, heqjen e bonusit si një mekanizëm që përdoret për arsye elektorale, vendosjen e standardeve të përvitshme të rritjes së pensionit, zbatimin e një minimumi jetik për pensionet e pjesshme dhe ndihmën sociale, etj..

Pavarësisht debatit, plani trevjeçar i të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit, prezantuar nga qeveria në Kuvendin e Shqipërisë gjatë ditëve të fundit, parasheh që ekonomia kombëtare të rritet në terma nominalë me vetëm 5.1 për qind në vit ndërsa të ardhurat nga sigurimet shoqërore shpresohet të rriten me 6.5% në vitin 2025 dhe 5.7% në vitin 2026. Kjo rritje do të mundësojë mbulimin e kostos së pensioneve të reja ndërsa nuk parashikohet asnjë rritje pensionesh përtej indeksimit.