Sat, Nov 23, 2024

Pranë “greminës”, Tirana sheh “makthe”, por Shkëmbi nuk preket

  • PublishedNovember 1, 2024

11 pikë në 11 javë, vendi i 7-të në renditje, janë shifra që ndezin “alarmin” e kuq në shtëpinë e Tiranës. Bardheblutë e shohin veten shumë pranë zonës “play-out”, po aq pikë sa Skënderbeu dhe vetëm 2 pikë larg vendit të fundit. Shifrat duken alarmante dhe në raste të tilla i pari që përfundon “nën akuzë” është trajneri, por Bledi Shkëmbi në këtë rast është mbase i fundit në listë që mban përgjegjësi për situatën ku ndodhet Tirana, për këtë arsye trajneri nuk preket, të paktën për momentin.

Shkëmbi zhvilloi një takim kokë më kokë me Drejtorin Sportiv, Agim Ibrahimi menjëherë pas “klasikes” kundër Vllaznisë, një takim mes dy personave që projektuan ekipin këtë sezon.

Pak ditë më parë, përpara takimit kundër Laçit, Shkëmbi theksoi se objektivi i klubit është të shkojnë në pozita jo të vështira në janar, për të riformuar më pas edhe një herë ekipin gjatë merkatos së dimrit, por koha nuk premton, nga Tirana dhe Shkëmbi kërkojnë një reagim të shpejtë, kërkohet fitorja me çdo kusht për t’i dhënë skuadrës pak frymëmarrje në këtë moment të vështirë.

Vetëm 1 fitore në 11 javë janë shumë pak për një ekip si Tirana. Këtë javë bardheblutë përballen me Egnatian, por dhe kampionët në fuqi janë në një pozitë të vështirë, edhe për ta fitorja është detyrim.

()


AlbaniaWeb.net