Mon, Nov 25, 2024

Me shifrat në krah, Veselinovic “fiton” Partizanin, i vetmi i pamposhtur

  • PublishedNovember 1, 2024

Prezantimi i tij në krye të Partizanit bëri jo pak zhurmë, me tifozët dhe opinionin, një pjesë e mirë e tyre që dolën kundër, por Aleksandar Veselinovic po fiton pak nga pak ambientin në shtëpinë e kuqe, fundja shifrat dhe ecuria po i japin të drejtë stafit drejtues, të paktën për momentin.

Me 20 pikë në 11 javë, me një mesatare prej 1,8 pikë për ndeshje, Partizani qëndron në krye, plus 2 pikë në raport me Vllazninë, ndjekësin më të afërt. Për ironi të fatit, Vllaznia është rivali i vetëm që i ka shkaktuar humbje Partizanit këtë sezon, por në stol nuk ishte Veselinovic.

Tekniku serb u prezantua në krye të “demave” më 26 gusht, menjëherë pas takimit kundër Skënderbeut. Veselinovic debutoi me fitore kundër Teutës në javën e tretë dhe që nga ajo ditë Partizani nuk njeh humbje. Me të në stol, në 9 ndeshje, Partizani numëron 4 fitore, 5 barazime, 0 humbje.

Sigurisht nuk ka qenë brilant, por askush nuk ka bërë më mirë se sa Partizani dhe Veselinovic. Për momentin, të kuqtë janë ekipi më i konsoliduar këtë sezon, për momentin janë ata ekipi për t’u mundur. Veselinovic është i qartë se është në krye të një ekipi që çdo sezon synon titullin, por në çdo dalje publike tekniku serb ka “dribluar” këtë temë.

()


AlbaniaWeb.net