Sun, Nov 24, 2024

Ecuria e Bylisit, skuadra e Dedes duhet të tregojë formën e mirë edhe kundër Laçit

  • PublishedNovember 3, 2024

Bylisi pas barazimit me Dinamon ka zbritur menjëherë në fushën për të kryer stërvitjen e radhës.

Skuadra do të luajë ditën e hënë takimin e radhës me Laçin në shtëpi, duke nisur nga ora 14:00. Ndër vite ky duel ka pasur tepër rivalitet mes dy skuadrave, ndërsa për vendësit është një ndeshje delikatë pasi Laçi bën pjesë në ato ekipe të cilat luftojnë për mbijetesën aktualisht.

Mallakastriotët luajtën mirë në sfidën me Dinamon, madje dominuan në momente të veçanta, por që ata kanë pretendime edhe për golin e anuluar, ku në Ballsh të gjithë njëzëri e thonë troç se ishte i rregullt! Madje bëhet e dyta herë që i njëjti anësor dëmton Bylisin, teksa edhe në Rrogozhinë me Egnatian, jo vetëm që lejoi golin e dytë të parregullt të vendësve, por edhe akordoi pozicion jashtë loje për Peraltën përballë Dobjanit sapo nisi pjesa e dytë e takimit.

E megjithatë, kampionati është në kulmin e vet, me ballshiotët të cilët janë duke kapur formën e tyre më të mirë, çka është vënë re qartë në 3-4 javët e fundit. Gjithsesi shpresohet shumë që organika të jetë e plotë në duelin e shtëpisë me kurbinasit, ndërsa trajneri Dede bëri edhe ndërrime taktike, jo thjesht për të kërkuar golin e dytë, por edhe për të lënë disa lojtarë të pushojnë sepse takimet delikate janë duke i zhvilluar në një hark kohor shumë të shkurtër.

Mbrojtësi Papa po shkon drejt rikuperimit të plotë, ndërsa edhe Përgjoni që pësoi lëndim në fushë pritet që të jetë gati. Mallakastriotët shkuan në Elbasan me 50 tifozë që mbështetën skuadrën e tyre të zemrës gjatë 90-minutave, ndërsa edhe ndaj Laçit pritet që Bylisi të ketë mbështetjen maksimale. Organizimi i fansave ka nisur që dje dhe pritet që të jenë në ballorë të hënën në mesditë, për të mbështetur Bylisin që do të synojë të vijojë ecurinë e rezultateve e pozitive, për të lënë edhe zonën e ftohtë në renditje.


AlbaniaWeb.net