Tue, Nov 5, 2024

Lillë “paralajmëron” Juven, Motta: Ata janë në formë, por na duhet rezultat pozitiv

  • PublishedNovember 5, 2024

Juventus do të ketë përballë të martën në mbrëmje skuadrën e Lillë, me ekipin francez që deri më tani ka mposhtur skuadra si Real apo edhe Atletico Madrid. Skuadra e Bruno Genesios ka 6 pikë, po aq sa edhe bardhezinjtë, ndaj sfida parashikohet të jetë e komplikuar për “Zonjën e Vjetër”. Lidhur me vështirësitë e sfidës ndaj Lillë ka folur në konferencën për shtyp edhe tekniku Thiago Motta:

“E respektojmë maksimalisht Lillën, ata janë një skuadër që po kalojnë një formë shumë të mirë. Megjithatë objektivi ynë mbetet ai për të marrë një rezultat pozitiv dhe për të përmirësuar lojën tonë. Vlahoviç? Ai po punon shumë mirë që prej nisjes së sezonit, tani duhet që ta mbështesë akoma më shumë skuadrën”.

Ndërkohë tekniku i francezëve, Bruno Genesio pas dy suksese të mëdha që arriti ndaj skuadrave madrilene, kërkon nga të tijët të vijojnë formën e mirë edhe në sfidën ndaj Juventusit, megjithëse është i ndërgjegjshëm për vështirësinë për të sfiduar bardhezinjtë:

“Çdo ndeshje në Champions është e ndryshme, për të arritur rezultat pozitiv duhet impenjim maksimal. Juventusi është një skuadër tepër e organizuar. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që kemi arritur të marrim dy rezultate fantastike në këtë kompetiicion, ndaj edhe ndaj Juventus do të luajmë shanset tona. Kemi publikun tonë që do të na mbështesë dhe kjo është një bonus për ne”.

Juventus nuk do të ketë të gatshëm për këtë sfidë Danilon për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e fundit ndaj Stuttgart si dhe Nico Gonzalesin që ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi. Ndërkohë për skuadrën vendase, pritet që Edon Zhegrova ta nisë sfidën ndaj “Zonjës së Vjetër”, që nga minuta e parë.


AlbaniaWeb.net