Fri, Nov 22, 2024

Në hijen e kuotave gjinore: Si gratë e zgjedhura zëvendësohen nga burra në këshillat bashkiakë

  • PublishedNovember 8, 2024

Pasi fituan një vend në këshillat bashkiakë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, dhjetëra gra nëpër Shqipëri vendosën të dorëhiqen.

“Referuar zgjedhjeve vendore të datës 14 maj 2023, 102 këshilltarë që kanë fituar mandatin në këshill, si dhe 80 kandidatë për këshilltarë kanë dhënë dorëheqjen përpara marrjes së mandatit,” tha për BIRN-in.

Sipas KQZ-së, nga këshilltarët e dorëhequr, 132 kanë qenë gra dhe 50 burra, duke treguar tendencën se largimet vullnetare shpesh bëhen qëllimisht për t’i lënë vendin meshkujve në listë.

Përtej statistikave, sipas ekspertëve të çështjeve zgjedhore, fenomeni flet për një kulturë politike ku përdoren si një fasadë për të respektuar formalisht ligjin, por jo për të ndryshuar sistemin.

“Në disa bashki vazhdon fenomeni ku kandidatet gra japin dorëheqjen në mënyrë të vazhdueshme për t’i hapur vendin kandidatëve të gjinisë tjetër, i cili de facto e ka bërë dhe listën në mënyrë të tillë, për të thënë që jemi korrekt edhe me ligjin, edhe me Kodin Zgjedhor, edhe me dorëheqjet, duke kaluar mandatin te mashkulli i radhës,” tha Afrim Krasniqi, drejtori i .

Për Krasniqin, problemi është edhe më i thellë, pasi edhe gratë që janë zgjedhur dhe vijojnë të jenë në detyrë janë shpesh të ndikuara nga burra që preferojnë të qëndrojnë në hije, duke marrë vendimet në Këshillin Bashkiak.

“Në disa bashki, individët që kanë pasur ndikim kanë emëruar familjarë të tyre – gra dhe vajza – për të qenë korrekt me kuotat,” tha ai. “Ka pasur raste në bashki të caktuara ku këshilltaret kanë qenë të shoqëruara nga burrat e tyre, për të thënë ‘vota është kjo, por mendimi është i burrit’,” shtoi Krasniqi.

Dorëheqje masive pa arsye

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në prill të vitit 2015 kuota gjinore të barabarta në këshillat bashkiake, ndërsa vendi zbatoi një reformë administrative dhe territoriale, e cila gjerësisht u pa si një instrument që, ndërsa synonte rritjen e eficencës në administrim, solli dobësim të përfaqësimit politik dhe të demokracisë vendore.

Gjithsesi, manovrat politike mes partive në pushtet bënë që, ndonëse ligji parashikonte , në praktikë, në zgjedhjet e vitit 2015, në asnjë prej bashkive të vendit nuk pati përfaqësi të barabartë. Në disa bashki, gratë përbënin vetëm 10 apo 20% të këshillave. Kjo ndodhi për shkak se “të fortët” e zonave garojnë nën emrin e partive të vogla, të cilat në mënyrë tipike fitojnë vetëm një mandat, të parin e listës, i cili është mashkull.

Situata u përmirësua në zgjedhjet pasuese falë rregullave shtesë. Megjithatë, edhe në zgjedhjet e vitit të kaluar, manovrat elektorale bënë që gratë të zinin vetëm 43% të këshillave, jo 50% siç parashikohej.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i tha BIRN-it se gratë e dorëhequra janë zëvendësuar sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor, ku për çdo grua të larguar është emëruar një grua tjetër. Por problemi në disa prej bashkive ka qenë se të gjitha gratë në listë nuk kanë pranuar të marrin mandatin, ndaj vendin e tyre e kanë zënë burrat.

“Me mbarimin e njoftimit të secilës grua në listë, është proceduar me plotësimin e vakancës me kandidatin e radhës burrë,” u përgjigj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për BIRN-in.

Por pse janë dorëhequr gratë? KQZ-ja nuk ka një bazë të dhënash të plotë për arsyet, pasi edhe vetë këshilltarët nuk kanë dhënë arsyetime të qenësishme për largimin e tyre. Disa kanë deklaruar “papajtueshmëri me mandatin,” ndërsa të tjera nuk kanë marrë pjesë në mbledhje për një kohë të gjatë, duke u zëvendësuar.

Si zgjidhet problemi? 

Në vitin 2024, Shqipëria renditet në vendin e 23-të në botë sipas Indeksit të Hendekut Gjinor, të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se, pavarësisht dorëheqjeve në bllok të grave këshilltare, nuk i ka pranuar menjëherë kërkesat e tyre, por vetëm kur ato janë noterizuar.

“Sqarojmë se edhe pas dërgimit në bllok të dorëheqjeve me deklarata noteriale nga gratë në disa këshilla bashkiakë, KQZ-ja, duke iu referuar Kodit Zgjedhor dhe listave shumëemërore të miratuara, ka proceduar me njoftimin një nga një të grave sipas renditjes në listën e miratuar. Kjo në referim të zbatimit të kuotave gjinore,” tha ky institucion për BIRN-in.

Për Afrim Krasniqin, KQZ-ja duhet të bëjë më shumë në këto raste, duke kryer hetime administrative për të parë nëse dorëheqjet janë proces i kushtëzuar apo normal.

Sipas drejtuesit të ISP-së, kontrolli duhet të jetë më i fortë edhe për partitë politike, që kuota gjinore të mos respektohet vetëm në letër, por edhe në realitet. Ai theksoi se edhe organizatat për të drejtat e grave duhet të reagojnë më fuqishëm, duke ndërgjegjësuar qytetarët.

“Delegimi i mandatit nuk lejohet me legjislacionin tonë, por delegimi i mandatit është një fenomen në thelb shkelje e ligjit dhe devijim, sidomos kur bëhet në formë presioni,” përfundoi ai.