Sun, Nov 24, 2024

Përmbysje e madhe e Dritës, Prishtina shmang humbjen

  • PublishedNovember 10, 2024

Skuadra e Dritës arriti një fitore të rëndësishme me përmbysje të rezultatit ndaj Ferizajt, duke siguruar pozitën e parë në tabelë, së paku për 24 orë. Në ndeshjen tjetër të xhiros së 13-të në Albi Mall Superligë, Prishtina i shpëtoi humbjes në minutat e fundit kundër Llapit, duke marrë një pikë të rëndësishme në Podujevë.

Drita shfaqi shpirtin luftarak në ndeshjen ndaj Ferizajt, duke shënuar fitore me shifrat 2:1, pas një përmbysjeje të jashtëzakonshme. Ferizaj kaloi në epërsi në minutën e 60-të me një gol të realizuar nga sulmuesi Betim Haxhimusa. Por Drita reagoi shpejt, duke barazuar vetëm tetë minuta më vonë. Mesfushori Besnik Krasniqi ekzekutoi me saktësi një penallti në minutën e 68-të, derisa më pas asistoi për qendërmbrojtësin Egzon Bejtullai, që realizoi golin e fitores me gjuajtje me kokë në minutën e 72-të.

Me këtë fitore, Drita ngjitet në krye të tabelës me 25 pikë, duke kaluar Ballkanin, që nesër e zhvillon ndeshjen e kësaj jave kundër Malishevës. Ferizaj, nga ana tjetër, mbetet në pozitën e parafundit me 14 pikë.

Në ndeshjen e zhvilluar në Podujevë, Prishtina ia doli të marrë një pikë të vlefshme ndaj Llapit, me një gol të shënuar në minutat e kohës shtesë. Llapi kaloi në epërsi në minutën e 32-të përmes Ilir Blakqorit.

Megjithatë, Prishtina nuk u dorëzua dhe në minutën e 92-të Dion Gallopeni krijoi një aksion nga krahu i majtë, duke pasuar në zonë për te Ardian Limani, i cili shënoi për 1:1.

Ky barazim e lë Llapin në vendin e shtatë me 16 pikë, ndërsa Prishtina qëndron në pozitën e katërt me 21 pikë, duke mbajtur ritmin për vendet e kreut të tabelës.


AlbaniaWeb.net