Sat, Nov 23, 2024

Vllaznia përsëri pretendente, Brdariç “shpërblen” lojtarët kuqeblu

  • PublishedNovember 12, 2024

Vllaznia mori rezultatin e katërt pozitiv radhazi në javën që lamë pas. Shkodranët barazuan të shtunën ndaj Egnatias në transfertë në shifrat 1-1. Duel i zhvilluar në kuadër të javës së 13-të të Superiores.

Në këtë mënyrë kuqeblutë pas 4 javëve të para të fazës së dytë kanë grumbulluar 8 nga 12 pikët e mundshme, duke pasur këtu parasysh barazimet 2-2 ndaj Partizanit dhe 1-1 ndaj Egnatias. E po ashtu fitoret 3-4 kundër Tiranës dhe 2-0 kundër Skënderbeut. Një formë me të vërtetë e mirë për shkodranët, që janë “shpërblyer” nga ana e trajnerit Brdariç.

Trajneri gjerman ka vendosur ta lërë tri ditë pushim skuadrën (diel, hënë, martë), në mënyrë që futbollistët të çlodhen pas një periudhe të ngjeshur me ndeshje dhe të jenë sa më të freskët për ndeshjet e ardhshme në kampionat. Gjithashtu, ky pushim i “gjatë” i shkodranëve lidhet edhe me faktin se kampionati do të jetë pushim këtë fundjavë si shkak i angazhimit të kombëtareve.

Po ashtu, gjatë këtyre ditëve do të analizohet edhe gjendja fizike e disa futbollistëve. Fjala është për Deliun dhe Matuti, që mungojnë prej kohësh në kampin shkodran. Të dy lojtarët duket se i kanë lënë pas problemet e rënda fizike e tashmë janë në fazë rikuperimi për t’u kthyer në formën optimale.


AlbaniaWeb.net