NOTAT/ Nuk “ndezim” ndaj Çekisë, por “X” na mban në lojë. Laçi më i vlerësuari, e ndjek Bajrami dhe Ismajli
Nuk ishim brilant, por as nuk stonuam përballë Çekisë, të paktën në raport me ndeshjen në Pragë. “X” pa gola thjesht na mban në lojë, por fati i kreut të grupit në Ligën e Kombeve nuk është më në dorën tonë, ndaj Ukrainës, ndeshjen e fundit, edhe fitorja mund të mos mjaftojë. Ashtu siç pritej, nga Çekisë, sfida u zhvillua në një atmosferë fantastike, për fat të mirë nuk pati as incidente, përjashto vërshëllimat gjatë himnit apo ndonjë send në fushë, pjesa tjetër kaloi pa probleme.
Me një formacion fiks si në sfidën e fundit kundër Gjeorgjisë, Shqipëria e nisi e ndrojtur takimi, ishim me fat ku dy traversa të çekve tronditën portën e Strakoshës. Në fraksionin e dytë, zbritëm në fushë me më shumë kurajo, por nuk ishim të qartë në fazën sulmuese, prodhuam shumë pak për të vënë në vështirësi ekipin çek, apo për të merituar diçka më shumë se sa një barazim, në 90 minuta goditëm vetëm 2 herë kuadratin.
Më shumë se sa për të fituar, Sylvinho u kujdes të mos humbiste, për të mbajtur të ndezur atmosferën rreth kombëtares deri në fund të Ligës së Kombeve, pasi për t’u kualifikuar tashmë duket më shumë se sa një mrekulli.
Sipas “SofaScore”, lojtari më i vlerësuar rezultoi Qazim Laçi, nota 7,5, i ndjekur nga Nedim Bajrami dhe Ardian Ismajli.