Sun, Nov 17, 2024

Depozitimi i mbetjeve toksike të Kurum, shqetësim për banorët e Durrësit: Kërkojmë të hiqen, jemi të rrezikuar

  • PublishedNovember 17, 2024

Banorët e zonës kanë protestuar këtë të diel pranë venddepozitimit të 2100 ton mbetjeve të dyshuara toksike këtu në periferi të Durrësit. Ata kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të tyre, por edhe transparencë për gjithçka po ndodh me hetimet dhe toksicitetin e mbetjeve.     

“Kërkojmë të hiqen. Pse i kanë sjellë? Sa të rrezikshme janë? 200 metra larg kemi shtëpitë”, u shpreh një banor.

I bëj thirrje qeverisë dhe kryeministrit të bashkohet me ne këtu dhe të na japë përgjigje. 4 mijë familje ka vetëm ‘Sektor Rinia’”, bën thirrje një tjetër.

Të shqetësuar për shëndetin dhe mjedisin, banorët e zonës theksuan rrezikun që paraqesin këto mbetje për jetën e tyre dhe të bagëtive me produktet e të cilave furnizohet i gjithë Durrësi.

“Është e miratuar nga këshilli i qarkut që është vendbanim, këtu janë mbetjet toksike, helmet, çfarë është kjo punë”, tha banori.

“Jemi familjarë, kemi fëmijë, pleq, blegtori”. 

Forca të shtuara policie kanë qenë të pranishme në zonë për të mundësuar rendin dhe sigurinë fizike të vendit ku janë depozituar 102 kontejnerët me mbetje.

Banorët protestues kërkojnë largimin e mbetjeve nga zona dhe transparencë të plotë në lidhje me to. Ata paralajmërojnë përshkallëzimin e protestave nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh. Situata mbetet shqetësuese, me banorët që ndihen të lënë në mëshirë të fatit nga institucionet vendore, ndërsa hetimet vazhdojnë.



AlbaniaWeb.net