Mon, Nov 18, 2024

Arjon Muça zbulon çrregullimin neurologjik: S’e kam thënë kurrë në ekran

  • PublishedNovember 18, 2024

Moderatori Arjon Muça, ka folur për një aspekt të jetës së tij që nuk e kishte ndarë kurrë më parë me publikun.

Teksa ishte i ftuar në emisionin “Natën me Aulonën” në MCN, Arjoni zbuloi një sekret të thellë që nuk e kishte bërë të ditur deri më tani:

“Unë jam disleksik, një nga gjërat që s’e kam thënë kurrë në ekran. Kam probleme me leximin,” tha ai, duke treguar për herë të parë një anë të padukshme të jetës së tij.

Kur Aulona e pyeti se si e zbuloi këtë problem, Arjoni shpjegoi se ishte gjatë periudhës së shkollës fillore, kur ai filloi të kuptonte se kishte vështirësi në mësimin e leximit.

“Në moshën 6-7 vjeç, unë kuptova që kur të tjerët dinin të lexonin, unë s’dija. Jo se s’dija, por thjesht nuk e kuptoja mirë sesi funksiononte koncepti i leximit,” tha ai. Për Arjonin, shkronjat shpesh merrnin forma të çuditshme, dhe ky ishte një moment që e ndihmoi të kuptonte se kishte një sfidë të pazbuluar deri atëherë.

Ai zbuloi se për të përballuar këtë, ka zhvilluar një mënyrë të veçantë për të mësuar dhe punuar.

“Unë mësoj përmendësh, dhe kur filloj të lexoj, truri im ka zhvilluar aftësinë të krijojë imazhe fotografike. Unë e rishoh shkronjat dhe fjalët, sikur të ishin fotografi dhe mund të gjej pikat kyçe,” shpjegoi Arjoni, duke ilustruar mënyrën se si ai e kalon këtë vështirësi dhe arrin të përballojë detyrat e tij profesionale.

Arjoni falënderoi kolegët e tij, sidomos Erjona Rusin, për mbështetje të pakushtëzuar gjatë transmetimeve, duke thënë se ajo ka qenë një ndihmës e madhe gjatë momenteve të tensionuara kur i është dashur të lexojë dokumente të ndërlikuara.