Rikthehet Daku, dëmtimi i Asanit detyron Sylvinho-n të ndryshojë
Sylvinho nuk ndryshon, ky është një fakt, por këtë herë, ndaj Ukrainës, për shkak të rrethanave, është i detyruar ta bëjë diçka të tillë. Me Tucin në majën e sulmit në dy ndeshjet e fundit, Shqipëria ka humbur jo pak në fazën sulmuese, kemi goditur pak ose aspak kuadratin e rivalëve. Lajmi i mirë është rikthimi i Mirlind Dakut. Qendërmbrojtësi kuqezi nuk ishte në dispozicion ndaj Çekisë, kjo pasi kishte plotësuar numrin e kartonëve. Daku është i vetmi nga formacioni i tij tipik që pati mundësi të pushtonte, ndaj Ukrainës pritet të jetë në maksimumin e tij.
Lajmi i keq është dëmtimi i Jasir Asanit. Një problem muskulor bëri që mëngjarashi të dilte nga fusha i dëmtuar ndaj Çekisë. Me Sylvinhos në stol, nuk e kemi parë kurrë Shqipërinë pa Jasir Asanin. Dëmtimi i tij prish jo pak balancat për më tepër që në këtë takim, Shqipëria fillimisht do të kujdeset të mos humbas, ashtu siç ndodhi edhe ndaj Çekisë, ku Sylvinho zgjodhi Taulant Seferin, lojtarin e vetëm nga reparti ofensivë i cili bën më mirë edhe fazën mbrojtëse.
Edhe ndaj Ukrainës pritet të jetë i njëjti ndryshim, Seferi në vend të Asanit, por nuk përjashtohet as opsioni që Bajrami të spostohet në krahun e djathtë të sulmit, për t’i bërë vend në të majtë një ndërmjet Arbër Hoxhës ose Myrto Uzunit.
Pjesa e tjetër e formacionit nuk ndryshon. Me Ramadanin, Asllanin dhe Laçin në mesfushë, ndërsa Mitaj, Ajeti, Ismajli dhe Balliu do të formojnë prapavijën. Nuk preket as Strakosha në portë.
()