Mon, Nov 18, 2024

Sherri me thika në kryeqytet, Presidenti Begaj shpreh ngushëllimet për familjen e 14-vjeçarit: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjete sociale 

  • PublishedNovember 18, 2024

Presidenti i Republikës Sh.T. Z Bajram Begaj, reagoi me një mesazh të posaçëm për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në afërsi të një shkolle 9-vjeçare në Tiranë.

Presidenti Begaj i shprehu ngushëllime familjes së 14-vjeçarit që mbeti viktimë e konfliktit me bashkëmoshatarët, ndërsa uroi shërimim e nxënësit tjetër që mbeti i plagosur.

Në këtë mesazh, Keu i Shtetit bën apel për reflektim të shoqërisë shqiptare në edukimin e brezit të ri.

“Kjo ngjarje e rëndë na shqetëson dhe na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen”, shkruan ndër të tjera Kreu i Shtetit, duke iu drejtuar prindërve, mësuesve dhe të gjithë komunitetit.

Gjithashtu Presidenti Begaj bën thirrje për rikthimin e shoqërisë shqiptare te vlerat dhe distancimin nga modelet e dëmshme që u ofrohen sot fëmijëve dhe të rinjve: “Si shoqëri, kemi një sfidë të madhe përpara: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë”. “Fëmijët dhe të rinjtë tanë- shprehet Kreu i Shtetit- meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre”.

Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës:

“Ndarja nga jeta e 14-vjeçarit është për të gjithë ne një dhembje e madhe.
Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij!
Gjithashtu, uroj nga zemra shërim të shpejtë e të plotë për nxënësin e plagosur!
Kjo ngjarje e rëndë na shqetëson dhe na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen.
Si shoqëri, kemi një sfidë të madhe përpara: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë.
Fëmijët dhe të rinjtë tanë meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre.



AlbaniaWeb.net