Vrasja e 14-vjeçarit tronditi botën e futbollit, Duka: Jam thellësisht i trishtuar, iu ndërprenë ëndrrat padrejtësisht
Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani ka tronditur të gjithë opinionin në vend, një humbje shumë e rëndë për familjen, për shoqërinë, por dhe për komunitetin e futbollit pasi Cani prej vitesh po ndiqte ëndrrën e tij, të bëhej një futbollist profesionit. Hidhërimit i është bashkuar edhe kreu i FSHF-ës Armand Duka i cili i shprehu ngushëllimet familjes për këtë humbje kaq të madhe:
Miqtë e mi!
Nuk do doja e nuk do dëshiroja kurrë më që të ndaja me ju mesazhe të tilla!
Aq më tepër sot, për humbjen e tmerrshme të Martinit 14-vjeçar, i cili prej vitesh kishte zgjedhur si shumë shokë të tij të ndiqte pasionin për futbollin. Fatkeqësisht kjo ëndërr iu ndërpre padrejtësisht në mes.
Sinqerisht dhe tejet i tronditur, nuk gjej fjalë në këto momente për të ngushëlluar familjen dhe prindërit e djaloshit të vogël, futbollistit të ekipit U-15 të Dinamo City, Martin Cani!
Në emrin tim personal, të familjes time, si dhe në emër të komunitetit tonë të madh të futbollit, thellësisht i trishtuar nga ç’ka ndodhi e ç’ka mësuam, do të doja t’i qëndronim sadopak afër dhimbjes së madhe të prindërve, duke u përcjellë ngushëllimet tona!
Zoti i dhëntë sa më shumë forcë për ta përballuar këtë këputje shpirti!
Një kampion i vogël tashmë do ta ndjekë nga lart pasionin e tij, ekipin e tij dhe shokët e tij!
Ndërkohë ne si komunitet futbolli, si shoqëri, e si prindër na shtyn akoma më shumë obligimi dhe angazhimi maksimal për të qëndruar e punuar sa më shumë me fëmijët e dashur në pasionet dhe ëndrrat e tyre.
Pusho i qetë Martin!
Shokët dhe futbolli nuk do të të harrojnë kurrë!