Sun, Nov 24, 2024

Vrasja e 14 vjeçarit, kambanë për reformë në arsim! Plan kombëtar gjithëpërfshirës për përmirësimin e masave në shkolla

  • PublishedNovember 20, 2024

Vrasja e nxënësit 14 vjeçar nga moshatari i tij pas mësimit ka nxitur një thirrje të përbashkët: reformë në arsim. Duket se kërkesa për përmirësimin e masave ndaj dhunës në shkolla po bëhet gjithnjë e më emergjente.

Ministria e Arsimit pranon për AlbaniaWeb.net nevojën për ndryshim dhe përfshirjen e shumë zërave në një PLAN që specifikon detyrat e afatet e çdo institucioni. Ndërsa ekspertët ngrenë shqetësimin se masat hartohen pas ngjarjeve tronditëse dhe se nuk janë afatgjata…

“Për të gjithë ne ka rënë kambana e alarmit për të parë se çfarë kemi bërë dhe se çfarë duhet të bëjmë më mirë. Për këtë, ministria e arsimit ka organizuar në një takim urgjent, me përfaqësues jo vetëm të Ministrisë së Arsimit, por edhe përfaqësues të ministrive të tjera të linjës, të këshillit të prindërve, të organizatave dhe të gjithë aktorëve që kanë përgjegjësi për zbatimin e të drejtave të fëmijëve. Rakorduam të dalim me një plan kombëtar gjithëpërfshirës, për të menaxhuar, parandaluar, eliminuar rastet e dhunës qofshin fizike apo të dhunës online”. shprehet Zamira Gjini, drejtoresha e zhvillimit të arsimit parauniversitar, MAS.

“Ky nuk është rasti i parë, kanë ndodhur dhe të tjera në shkolla, mund të përmend ngjarjen e para disa muajsh në Gramsh. Dhe ja ku ndodhemi pas atij në një vrasje tjetër, që do të thotë  që masat e përkohshme dhe emotive që marrin organet publike nuk janë të mjaftueshme. Duhen masa të qëndrueshme! Shoqëria dhe institucionet në përditshmëri mëkojnë dhunë dhe urrejtje. Dhe ndodh që një pjesë e fëmijëve kthehen viktima të këtyre modeleve, imitojnë e pastaj arrijmë këtu në këto raste ekstreme”, u shpreh Robert Gajda, komisioneri për mbrojtjen kundër diskriminimit.

“Ne do të punojmë për parandalimin, eliminimin e rasteve të dhunës, duke pasur në vëmendje  të veçantë jo vetëm  mësuesit, por dhe prindërit, për të qenë pjesë e këtij aksioni të madh që do të ndërmarr Ministria e Arsimit për t’i thënë stop dhunës në shkolla”, deklaroi Zamira Gjini.

“Kemi rreth 900 raste të cilat janë të raportuara për dhunë fizike, 700 raste të për dhunë psikologike, kemi rreth 914 raste që lidhen me bullizim. Këto janë të dhëna nga vetë ministria, dhe janë shifra relativisht të larta. Problemi është se si adresohen këtë raste”, tha Kolindo Vjerdha, ekspert arsimi.

“Këtë kemi vënë re dhe ne gjatë monitorimit të bullizmit: Tendencë e madhe e institucioneve arsimore është  ose mosinstitucionalizimi i një rasti problematik që ndodh në shkollë, ose mundohen për ta fshehur”, Gajda.

Masat për të garantuar mjedisin e sigurtë për nxënësit janë të pamjaftueshme për drejtoreshën e politikave arsimore; ku parashikojnë të rishikojnë kuadrin ligjor; ndonëse ekspertët e arsimit kërkojnë zbatimin e mirë të vendimeve të miratuara; teksa gishtin e fajit e vendosin jo vetëm te shkolla por edhe familja.

“Ne kemi marr masa si psh projektin pilot në numrin e oficerëve të sigurisë në vend. Kemi filluar me 15, dhe sot kemi arritur 240 oficerë sigurie. Po ashtu, kemi vendosur të rrisim numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë. Natyrisht, kjo nuk është mjaftueshëm, prandaj po punojmë për këtë. Dëshirojmë të marrim masa më konkret, ku do të fillojmë të shohim bazën ligjore”, tha Gjini.

“Kemi krijuar një mekanizëm për oficerët e sigurisë, ku sot në 54% e institucioneve mungon si pozicion, por edhe aty ku është, dhe në rasti konkret, nuk ka qenë efektiv. Të dhënat, të cilat shpesh neglizhohen brenda institucioneve, dhe nuk adresohen atje ku duhet. Sot, një psikolog, po ta shohim në përgjithësi, kujdeset për 506 nxënës. Ky është një numër shumë i lartë, kur e kuptojmë që po merremi me probleme që duhet të trajtohen vazhdimisht”, tha Vjerdha.

“Nuk zbatohet një pjesë e mirë e legjislacionit. Dhe, mes të tjerash, nuk mbahen përgjegjës prindërit. Në shkollën ku kam fëmijën, unë jam anëtar në këshillin e prindërve dhe fatkeqësisht, vë re se shumë pak prindër bashkëpunojnë dhe përfshihen në shkollë. Pjesa më e madhe e shikojnë  shkollën si një depozitë, ku do duhet të lenë fëmijën  dhe i ngarkojnë gjithë përgjegjësitë. institucioni patjetër ka përgjegjësitë e tij për të pasur një mjedis të sigurt në shkollë, që nuk është vetëm në lidhje me pedagogjinë, por një mjedis që i trajnon të rinjtë, por, siç thashë, në zhvillimin e fëmijës, për mirëqenien më të madhe të familjes”, tha Gajda.

Ministria e arsimit zbulon për AlbaniaWeb.net nisjen e një hetimi të brendshëm vec organeve të drejtësisë, për procedurat e ndjekura nga strukturat e saj të varësisë duke nisur si fillim me personelin e shkollës për konfliktin fatal te Fan Noli.

“Ministria e Arsimit është duke hetuar nga administrative se çfarë ka  ndodhur në këtë shkollë, për këtë ka ngritur një grup pune që do të shoh  procedurat që janë ndjekur nga të gjitha strukturat e arsimit në nivelin e shkollës, apo në strukturat e tjera të varësisë të Ministrisë Arsimit”, tha Gjini.

Nuk kemi ende një përgjigje nëse rasti është evidentuar dhe është raportuar më parë?

“Këtë do të shohim, do të verifikojë grupi i punës i cili do të shkojë të bëjë  inspektimet në këtë shkollë”, tha ajo.



AlbaniaWeb.net