Fri, Nov 22, 2024

BE i kërkon “llogari” Serbisë: Sqaroni pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

  • PublishedNovember 21, 2024

Bashkimi Europian i dha një shuplakë Serbisë me pohimin se është në dijeni të shqetësimeve të shqiptarëve në jug të vendit lidhur me pasivizimin e adresave të tyre, dhe i ka bërë thirrje përsëri Beogradit zyrtar ta sqarojë këtë çështje.

“I njohim shqetësimet për pasivizimin e adresave të pjesëtarëve të komunitetit shqiptarë në Serbi. Jemi duke i ndjekur këto zhvillime në frymën e detyrimeve që ka marrë Beogradi në kuadër të negociatave të anëtarësimit, sidomos ato që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave”, shprehet Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Europian.

Gjykata Kushtetuese e Serbisë hodhi poshtë këtë javë ankesën një banori shqiptar nga Medvegja për kthimin e adresës së tij, çka nxiti reagime të shumta.

Pisonero nuk deshi t’i komentojë vendimet e gjyqësorit serb për rastet e pasivizimit të adresave të shqiptarëve, por përsëriti shqetësimin që BE-ja kishte shprehur edhe në Raportin e Progresit për Serbinë muajin e kaluar.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe vëmendjen e mere vetëm në kohë zgjedhjesh.



AlbaniaWeb.net