Fri, Nov 22, 2024

321 vjetori i Kuvendit të Arbërit, Gjergj Kola dhuron  dy vepra për Kishën-Muze ku u mbajt ngjarja historike

  • PublishedNovember 21, 2024

Këtë nëntor në Lezhë u përkujtua 321 vjetori i Kuvendit të Arbërit, një ngjarje historike për hapjen e shkollave dhe botimeve ne gjuhën shqipe. Në këtë event përkujtimor u ekspozuan  dy vepra të piktorit Gjergj Kola (i cili ka lindur në Lezhë por jeton dhe punon në Itali), të cilat u vendosën në Kishën Muze Shën Gjoni, ku u mbajt ngjarja e rëndësishme e historisë shqiptare, pikërisht në Merqi të Lezhës.

 

”Në nderim të kësaj ngjarje historike, Gjergj Kola realizoi dy piktura me tematikën “Kuvendi i Arbërit”, të cilat i dhuroi për Kishën-Muze të Kuvendit të Arbërit në Merqi që është në distancë rreth 5 km nga Lezha. Veprat janë realizuar në bashkëpunim me Dom-Nik Ukgjini i cili është edhe profesor i historisë në Universitetin e Shkodrës, dhe ka ndihmuar në rehabilitimin, rikonstruktimin dhe krijimin e këtij Muzeu me rëndësi kombëtare. Veprat gjithashtu janë ekspozuar në Milano dhe në Torino, si dhe janë botuar në dy revista amerikane arti në U.S.A,’’-thotë Vjollca Kola profesoreshë e artit dhe letërsisë, në këtë event ku morën pjesë figura të njohura nga fusha e artit dhe historisë, që kontribuan në restaurimin e kishës, por edhe studiues, skulptorë si dhe banorë të zonës.

Studiuesi Dom Nik Ukgjini i pranishëm në këtë event u shpreh se ‘’Kuvendi i Arbërit’’ pati rëndësi të jashtëzakonshme për arsimin shqiptar, që luftoi kundër asimilimit të gjuhës shqipe. ‘’Merqia është një fshat i pasur me shumë monumente kulturore që dëshmojnë për të kaluarën e një epoke të ndritur të zhvillimit ekonomik, social e kulturor, duke na dhënë një impuls dhe idenë që duhet pasuruar ky ambient përkujtimor, dhe me anë të dy pikturave që piktori Gjergj Kola dhuroi sot, paraqesin ngjarjen e paharruar  dhe të rëndësishme në historinë e popullit tonë, Kuvendin e Arbrit,’’ tha Dom Nik Ukgjini.

 

Për vetë piktorin Gjergj Kola ky event dhe kjo ngjarje e madhe e historisë shqiptare që ka ndodhur pikërisht në vendlindjen e tij e frymëzoi dhe e nxiti të realizojë këto piktura që për subjekt kanë imazhe të Kuvendit të Arbërit. ‘’Çështja e kulturës tonë dhe e legjendave shqiptare, edhe e Kuvendit të Arbërit që ishte pikërisht vendi ku janë parardhësit e familjes time ishin projekte të cilat kishin kohë që ishin në planet e mia për tu konkretizuar dhe ja ku jemi të gjithë bashkë sot këtu’,’ u shpreh Kola mes të tjerash.

Edhe skulptori Sadik Spahia ishte i pranishëm në këtë event, ndërsa vlerësoi dhe lartësoi punën e Kolës. “Që nga skicat e para me atë shkathtësinë dhe lirinë e kompozimit dallohet njohja e traditës dhe elementit klasik të këtyre temave, që shoqërohet me një dashuri të sinqertë që sjell risi në telajo dhe tablo,’’ tha Spahia.

Ky event i parapriu një tjetër date të shënuar në kalendar, 22 Nëntorit që tashmë njihet si Dita e Alfabetit, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në shkurt të këtij viti.

Kuvendi Kishtar i Arbrit ishte një mbledhje e klerit katolik shqiptar, mbajtur më 14-15 janar të vitit 1703 në Kishën e Shën Gjon Kryepremit me përkrahjen e Papës me prejardhje shqiptare Klementi XI. Ndër vendimet kryesore ishin hapja e shkollave dhe botimet në gjuhën shqipe, të cilat u zbatuan përgjatë shekujve të XVIII dhe XIX.