Sat, Nov 23, 2024

“Beteja e fundit e Perandorit”… Ndeshje lamtumire e Adrianos, ja “yje-t” që do të marrin pjesë

  • PublishedNovember 22, 2024

Adriano do të luajë ndeshjen e tij të lamtumirës nga futbolli… tetë vite pas herës së fundit që zbriti në fushë. Ish-sulmuesi i Parmës, Interit dhe Romës ka vendosur të organizojë një ngjarje më 15 dhjetor në stadiumin legjendar “Maracanã”, në Rio de Janeiro.

Ngjarja është quajtur “Beteja e fundit e Perandorit”, në të do të marrin pjesë disa yje që kanë luajtur krah tij, si me Flamengon, ashtu edhe në futbollin italian. Nga Flamengo pritet të jenë të pranishëm legjenda si Zico, Junior, Petkovic, Léo Moura, Vagner Love dhe Ronaldo Angelim.

Një moment që premton të jetë emocionues për fansat dhe një mbyllje simbolike për një karrierë të shënjuar nga shkëlqimi dhe vështirësitë. Në ngjarjen e lamtumirës nga futbolli të Adrianos do të marrin pjesë edhe shumë yje që kanë shkëlqyer krah tij në futbollin italian: Ivan Ramiro Cordoba, Nicolas Burdisso, Carlos Gamarra, David Pizarro, Maxëell, Maicon dhe Julio Cesar.

Ish-sulmuesi, i emocionuar, ka deklaruar ditët e fundit: “Ajo që dikur ishte një ëndërr po bëhet realitet. Jam shumë i lumtur që kaq shumë yje dhe miq do të jenë të pranishëm në ndeshjen time të lamtumirës, mezi po pres që të vijë ai moment. Do të jetë një festë e madhe”. Adriano, pas kthimit nga Interi në vitin 2009, ku fitoi 4 “scudetto”, 2 Kupa të Italisë dhe një Superkupë Italie, arriti të kurorëzohej kampion në kampionatin brazilian me Flamengon. Karriera e tij në Europë përfundoi pak përpara sezonit historik të “tripletës” me Mourinhon. Kjo ndeshje e veçantë do të organizohet nga MTR7, një kompani sportive e fokusuar te futbolli, në partneritet me “MCASport” dhe studion ligjore “Diogo Souza”.

Ajo është konceptuar për të kurorëzuar një karrierë që do të mbetet në kujtesën e tifozëve. Adriano ka theksuar rëndësinë e këtij momenti: “Edhe pse kam ndalur prej disa vitesh, më duhej kjo ndeshje për ta mbyllur karrierën time. E ndiej si detyrim karshi gjithë atyre që më kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta bëjnë”. Në këtë ndeshje, Adriano pritet të luajë një pjesë me Flamengon dhe tjetrën me Interin, duke bashkuar dy kapituj të rëndësishëm të karrierës së tij në një festë unike.


AlbaniaWeb.net