Bayern i falet Harry Kane, “bomberi” anglez vendos një rekord të ri
Pas një viti kur mbyllën një sezon me zero tituj, Bayern Munich është rikthyer sërish të dominoi futbollin gjerman. Të udhëhequr nga Harry Kane, Bayern doli triumfues në derbi duke mposhtur Augsburg me rezultatin e pastër 3-0.
Përtej rezultatit, ky nuk ishte një derbi i lehtë pasi u deshën dy penallti për të mbyllur llogaritë me Augsburg.
Në minutën e 60-të, me ndihmën e sistemit VAR, gjyqtari i takimit akordi penallti për prekje të topit me dorë. Nga pika e bardhë, Harry Kane u tregua perfekt duke kaluar Bayern në avantazh. Në shtesë, në minutën e 93-të, “bomberi” anglez fitoi një penallti dhe po vetë nga 11 metra distancë dërgoi topin në rrjetë duke dyfishuar shifrat. Në aksionin e fundit, në minutën e 95-të, Kane u shërbye në qendër nga Goretzka duke kompletuar “tripletën” e tij personale.
Me këtë tregolësh, Kane vendos një rekord të ri, bëhet lojtari më i shpejt në histori që arrin kuotën e 50 golave, me 43 ndeshje në dispozicion, ndërsa Bayern Munich e dërgon provizorisht në plus tetë “diferencën” me ndjekësit në Bundesligë.