Sun, Nov 24, 2024

Vetëm barazim, Milan dhe Juve nuk “ndezin”

  • PublishedNovember 23, 2024

Barazim 0-0 mes Milanit dhe Juventusit në “San Siro”, me të dy skuadrat që ndajnë kështu pikët, në sfidën e vlefshme për Serie A.

Në pjesën e parë, skuadrat u treguan të kujdesshme,  duke patur frikë kështu nga pësimi i golit. Në minutën e 16-të, Gatti provoi nga distanca, por asgjë për t’u shqetësuar për kuqezinjtë, me Majk Menjo që nuk e pati të vështirë të kontrollojë sferën pas asaj gjuajtje qëndrore.

Në minutën e 22-të, Illdiz kontrollon mirë topin, gjen hapësirën e duhur dhe godet, por nuk koordinohet si duhet.

Përfundoi me rrjeta të paprekura pjesa e parë, me Milanin që hasi vështirësi për të dalë në lojën e vet dhe me Juventusin që tregoi diçka më shumë.

Ekipi i Fonsecas zgjohet në pjesën e dytë. Në minutën e 69-të Leao pretendoi penallti pas një rrëzimi në zonë, por nuk mendoi kështu arbitri. Në të 81-tën minuta, Fofana shkaktoi drithërima me një goditje nga distanca, por sërish shirat mbeten të njëjta.

Juventus aktualisht është në vendin e gjashtë me 25 pikë dhe synimi i vetëm është afrimi me kreun e tabelës.

Në krahun tjetër, Milan është në vendin e shtatë me 19 pikë. Për skuadrën nga Milano, ky është barazimi i dytë radhazi dhe objektivi është rikthimi te suksesi, duke filluar që nga ndeshja e radhës.

(J.S/)

 


AlbaniaWeb.net