Mon, Nov 25, 2024

Buxheti 2025, Kuvendi shpërndan para shtesë për institucionet e drejtësisë

  • PublishedNovember 25, 2024

“Është bërë rakordim mes institucioneve të pavarura dhe Ministrisë së Financave në lidhje me propozimet për shtesa e ndryshime në projektligjin e buxhetit,” njoftoi kryetarja e komisionit, në nisje të mbledhjes. Ajo shtoi se rakordimi me institucionet është bërë në bazë të prioritizimit të nevojave që ato kanë.

Bushka bëri të ditur se shtesat në buxhetin e vitit që vjen nuk përfshijnë kërkesat e institucioneve të drejtësisë për paga të prapambetura që lidhen me statusin e magjistratit, të detyruara nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, pasi këto kërkesa do të adresohen në rialolikim fondesh brenda buxhetit të vitit 2024.

Komisioni i Ligjeve po ashtu propozoi një zgjidhje për adresimin e procesit tranzitor të procesit të vetingut nga institucionet që u përfundon mandati kushtetues në dhjetor 2024, Komisionerë Publikë dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke parashikuar një fond pagash për stafin administrativ të tyre për 6 muaj.

“Komisioni vendosi të miratojë shtesën në zërin e shpenzimeve korrente në vlerën 48.1 milionë lekë, për të përballuar shtesën prej 32 punonjësish administrativë, pjesë e programit buxhetor të Arkivit Shtetëror të Sistemit Gjyqësor të Ministrisë së Drejtësisë, për të finalizuar procesin e mbylljes së veprimtarisë administrative të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë,” relatoi deputeti .

Kjo periudhë konsiderohet si tranzitore për kalimin e funksioneve të vetingut. Pranë drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme () do të kalojnë kompetencat e Komisionerëve Publike, ndërsa pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor ato të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në këtë kontekst, Komisioni i Ligjeve miratoi kërkesat e këtyre dy institucioneve për shtesë buxheti  për stafin shtesë që lidhet me marrjen e kompetencave të reja,

Sipas shifrave që relatoi Hasalla, për SPAK-un u miratuan një fond 100 milionë lekë në zërin e shpenzimeve për paga dhe sigurime shoqërore për të përballuar numrin e plotë të punonjësve dhe 100 milionë lekë në zërin e investimeve, për ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinës së re dhe urës lidhëse midis dy godinave.

Ndërsa KLGJ-së iu miratua një shtesë në vlerën totale prej 500.4 milionë lekë për shpenzime për paga dhe sigurime shoqërore për përballimin e shtesës së miratuar prej 133 punonjësish, për projektin dixhitalizim dhe investime në gjykata.

Por kjo shifër ishte shumë larg kërkesës prej 3.2 miliardë lekësh që parashtroi kryetari i ri i këtij këshilli, Ilir Rusi para komisionit.

Për Këshillin e Lartë të Prokurorisë u miratua një shtesë në vlerën 24 milionë lekë për sigurinë kibernetike, një sektor i cili u konsiderua prioritet nga komisioni i ligjeve edhe për institucionet e tjera.

Të gjitha propozimet për shtesat në buxhetet e këtyre institucioneve kalojnë për miratim në Komisionin e Ekonomisë, si komision përgjegjës për buxhetin para se të kalojnë në seancë plenare për votim.