Wed, Nov 27, 2024

INTERVISTA/ Trajneri Brdariç: Bie të fle, them natën e mirë dhe ëndërroj tituj kampion me Vllazninë

  • PublishedNovember 27, 2024

Trajneri i Vllaznisë Thomas Brdariç ka dhënë një intervistë të veçantë duke folur për jetën e tij familjare, karrierën profesionale si futbollist, pasionet dhe dëshirën e madhe që ka si trajner i Vllaznisë për të fituar titullin kampion që në Shkodër mungon prej 24 vitesh. Këtë bisedë që e zhvillon për herë të parë Brdariç vendosi që ta rrëfejë përballë dy gazetareve të vogla shkodrane 10-vjeçares Onesa Nikshiqi dhe 13-vjeçares Hea Lohja në RTSH Shkodra. Brdariç ka treguar dashurinë e tij të madhe për futbollin që në hapat e parë e deri tek aktivizimi me Hanover apo Bajer Leverkusen duke arritur deri në finale të Ligës së Kampioneve apo ndeshjet me kombëtaren gjermane që ishte një tjetër kulm i karrierës së tij sportive. Si trajner Brdariç tha se çdo natë pasi fik dritat ëndërron titujt kampion me Vllazninë ndërsa ka treguar përplasjen e famshme në fushën e lojës me legjendën gjermane të portës Oliver Kahn apo se si i duket Shkodra dhe shkodranët. Gjatë kësaj interviste morën pjesë edhe disa prej lojtarëve të Vllaznisë, Balaj, Gurishta, portieri Qarri dhe Dodaj të cilët nuk kursyen disa këshilla për trajnerin e tyre në këtë bisedë miqësore.

Trajner, ju keni lindur në Gjermani apo jo por besoj familja juaj emigroi, ka qenë e vështirë për prindërit tuaj të emigrojnë dhe ndërtojnë jetën në ato vite në Gjermani dhe përse emigruan?

Si fillim kjo ka ndodhur shumë kohë më parë sepse unë jam rritur në Gjermani. Isha një fëmijë gjerman në atë kohë që po flasim. Mu dha një mundësi që të luaj futboll atje dhe jam i lumtur që familja zgjodhi të emigrojë drejt Gjermanisë.

Si ishte fëmijëria juaj, çfarë mund të na zbulosh sot?

Gjithë kohën kemi qëndruar bashkë si familje. Nuk ka rëndësi nëse je i ri apo më i rritur, me eksperiencë apo jo. Ne mësojmë çdo ditë nga njëri-tjetri.

Dëshira juaj për futboll ishte e hershme?

Po. Ke të drejtë, unë  fillova futbollin në një moshë shumë të hershme të jetës time dhe kurrë nuk më la që të iki. Unë jam i varur nga futbolli dhe i apasionuar pas kësaj loje. Unë u detyrova ta ndërpres karrierën nga një dëmtim që kisha dhe tani kam vazhduar karrierën si një trajner. është një nder i madh për mua që të punoj si kryetrajner i Vllaznisë.

Ju vjen keq që nuk jeni sot pjesë e Leverkusen që po shkëlqen dhe ku luan ylli jonë shqiptar Xhaka?

Si fillim Leverkusen është gjithmonë një skuadër profesionale po ashtu e di Xhakën, është një lojtar shumë i mirë dhe shumë njerëzor. Leverkusen ka qenë një pjesë e bukur e jetës time por tani jam në Shqipëri dhe i ndjek ndeshjet e tyre dhe i uroj shumë fat këtë sezon.

 Si u bëtë pjesë e Hanover dhe më pas Bayer Leverkusen?

Unë mora disa çmime me ekipet e të rinjve. Isha një sulmues asokohe dhe kam shënuar në jetën time shumë gola dhe kur shënon është gjëja më e mirë, gjithmonë nëse je i aftë ta bësh këtë gjë . Kam luajtur edhe për kombëtaren e Gjermanisë. Ishin golat që shënova tek Hanover dhe Leverkusen që më çuan tek kombëtarja.

Tek po shihja në internet për ju më bëri përshtypje fakti se keni bërë një këngë pak ironike për Oliver Khan dhe dy portierë të tjerë e më pas keni luajtur bashkë në kombëtare me Kahn. Përse e bëtë këngën dhe si ishin marrëdhëniet tuaja sepse një video e përplasjes mes jush kur ju ishit tek Leverkusen dhe Kahn tek Bajern është shumë e famshme?

Në përmbledhjet e gjithë sezonit mund të shihni atë video dhe ende kur shoh atë moment është shumë për të qeshur por në atë kohë nuk ishte fare për të qeshur sepse ishin ndeshje serioze dhe të dy jemi ndëshkuar me kartonë të verdhë. Se kush ishte fajtor në atë situatë ende askush nuk e di por akoma ajo është një histori dhe tani unë dhe Kahn kemi një marrëdhënie shumë të mirë.

Me Leverkusen në Champions League mendoj se ka qenë periudhë e artë për ju apo jo?

Po ishte një nga sezonet më të mira kur unë isha pjesë e Leverkusen dhe shkuam në finalen  Ligës së Kampioneve. Ishim ekipi më i mirë në finale përballë Real Madrid por fatkeqësisht e humbëm ndeshjen. Gjithsesi të jesh në një finale të Ligës së Kampioneve në atë atmosferë në Glasgou është një çmim shumë i madh dhe kam një vlerësim të jashtëzakonshëm për këtë kompeticion dhe jam i lumtur që isha pjesë e saj.

Po në kombëtaren gjermane si u përzgjodhët dhe si e pritët lajmin kur jua thanë për herë të parë se do jeni në kombëtare?

Ti rritesh me ata skuadra në të cilat luan dhe nuk vjen nga qielli për të shkuar në kombëtare dhe nga puna jote ti je aty. Shumë investime, shumë sakrifica, shumë stërvitje, shumë gola. Dhe pastaj një ditë, nëse ke mjaft aftësi dhe je i fortë në mendjen tënde, gjithçka është e qartë. E di se ku do të shkosh. Dhe një ditë, dikush të dërgon një ftesë. Kështu që pastaj luan për ekipin kombëtar dhe jep maksimumin për këto ekipe.

Prindërit tuaj, a kanë pasur dëshirë që ju të ishit futbollist apo kishin ndonjë dëshirë tjetër për profesionin tuaj?

Besoj se familja ime më edukoi shumë mirë dhe ishte vendimi im për të menaxhuar jetën time.  Por është e mbyllur nëse je futbollist, je djalë i ri, i shëndetshëm dhe po ndjek ëndrrat e tua. Dhe, besoj, shumica e djemve të rinj duan të bëhen futbollistë profesionistë, por jo të gjithë arrijnë. Kjo është arsyeja pse e vlerësoj që isha një futbollist profesionist.

Kur keni luajtur edhe me Koln, pse tifozët ju kanë vënë nofkën “Bambi”? Çfarë do të thotë?

Së pari, nuk është e vërtetë, sepse jo çdo gjë në wikipedia është e saktë. Kam shumë nofka. Një nga to është Tommy, për shembull dhe, për këtë arsye, kam shumë emra, por jo Bambi. Bambi është një kafshë, e dini, me këmbë të gjata dhe shumë e ëmbël. Por, për mua, nuk i përshtatet. Prandaj, le ta lëmë ashtu siç është.

Cila është ndeshja më e rëndësishme e jetës tuaj?

Në përgjithësi, në futbollin profesionist, çdo ndeshje është një betejë. Është një sfidë dhe diçka speciale. Pra, është e jashtëzakonshme të luash për një ekip të madh me shumë fansa, para fansave, në stadiume plot dhe të kesh këtë adrenalinë, të shkoj atje dhe të luash për fansat, për veten, për ekipin dhe për klubin. Pra, çdo ndeshje është diçka speciale. Por, sigurisht, finalja e Ligës së Kampionëve, nuk është diçka që mund ta arrish shpesh. Dhe ndoshta ndeshja e parë me ekipin kombëtar, Gjermania kundër SHBA ishte një ndeshje speciale dhe sigurisht finalja e Ligës së Kampionëve kundër Real Madrid.

Në vitin 2020 vendosët të vini në Shkodër. Pranuat ofertën për të drejtuar Vllazninë, në një qytet i cili futbollin e ka gjithçka. Kishit qënë më parë në Shkodër?

Jo. Ishte hera ime e parë këtu në Shqipëri dhe, po, nënshkrova një kontratë këtu me kushte dhe rrethana speciale. Dhe, si ta them, klubi ynë ka bërë shumë për t’u rritur.  Ne jemi një ekip i bashkuar. Pas një periudhe të shkurtër, kur shkova në Indi dhe Kuvajt, u ktheva sepse kam mësuar ta dua këtë qytet. Fansat, njerëzit këtu, ndihem shumë mirë, si në shtëpinë time të dytë. Dhe kjo është arsyeja pse ndoshta identifikimi me ta është gjithçka, dhe rrethanat janë shumë të mira. Dhe ndoshta pastaj mund të zhvillojmë performancën tonë në maksimum.

Si ju priti Shkodra në atë kohë trajner dhe na trego historinë se si firmosët me Vllazninë, por historinë e vërtetë?

Unë e shpjegova si mbërrita këtu në Shkodër. Alban Xhaferri më telefonoi  dhe më ka pyetur për planet e mia për të ardhmen, nëse ato përputhen, ndoshta, me ato të klubit. Dhe, ne kemi folur duke u kuptuar me njëri-tjetrin. E vlerësoj shumë këtë mendim për emrin tim, që ai më ka thirrur. U takuam këtu në Shkodër dhe kemi rënë dakord shumë shpejt për disa kushte dhe marrëdhënie. Dhe po shpresojmë që kjo marrëdhënie të jetë afatgjatë.

Dua të më thuash 2 gjëra që të pëlqyen në këtë qytet dhe 2 të tjera që nuk ishin dhe aq mirë mbase? Gjithmonë të vërtetën?

Po. Do ta provoj të flas për të gjithë shkodranët. Së pari, Shkodra është një qytet shumë i bukur. Të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Ndonjëherë është mirë dhe ndonjëherë nuk është mirë që të gjithë e njohin njëri-tjetrin shumë shpejt. Por, ende, njerëzit këtu janë shumë të dashur dhe mikpritës dhe shumë të mrekullueshëm. Dhe shumë njerëz që më vizitojnë thonë: ‘Oh, është një qytet shumë i bukur, por pas orës 10:00 të mbrëmjes, është paksa i mërzitshëm dhe shumë shpejt muzika ngadalësohet, dhe nuk mund të festojmë pas orës 24:00. Ndoshta kjo nuk është aq e mirë, por megjithatë gjithçka është në rregull, në përgjithësi.

Më pas patët një shkëputje për të cilën nuk dua që të flasim por më duket se të munguam aq shumë sa nuk qëndrove shumë larg nesh, u riktheve sërish dhe i vendosur për titullin kampion është ende objektiv? Unë dhe Hea prej disa vitesh vijmë në stadium por nuk e kemi shijuar ende titullin ashtu si brezat e mëparshëm,  do na gëzoni këtë radhë?

Po, një pyetje e gjatë me një përgjigje të shkurtër, ne jemi shumë të vendosur. Jemi të qartë në mendjen tonë. E dimë se çfarë duam, dhe duam të bëjmë realitet ëndrrat e tifozëve tanë po ashtu.

Nëse do të pyesim se cilët janë lojtarët që po luajnë më mirë dhe pak më mirë, a do na thuash emra sot?

Të lojtarëve të mi apo në përgjithësi?

Të lojtarëve tuaj tek Vllaznia?

Dakord. Unë, së pari, i pëlqej të gjithë lojtarët e mi sepse janë lojtarët e mi dhe ne punojmë çdo ditë bashkë dhe kemi disa djem të rinj si Dodaj, kemi disa djem me përvojë si Balaj, Gurishta, Krymi, për të përmendur disa si shembuj, tani nuk mund të përmend të gjithë lojtarët, por e vlerësoj çdo minutë që jam me ta. Dhe është kënaqësi për mua të jem trajneri i tyre. Nuk bëj diferencime.

Kush është për ju lojtari më i mirë në botë?

Unë kam luajtur gjatë karrierës sime me lojtarë shumë të mirë. Po ashtu kemi luajtur bashkë në kombëtaren e Gjermanisë ose për Bayer Leverkusen. Po, por mendoj se nëse do të fokusohem te një emër, ndoshta Messi, Ronaldo, Ronaldinho në atë kohë, Zinedine Zidane. Ata janë thuajse të gjithë lojtarë me të cilët jam përballur. Dhe, është shumë bukur të shohësh si luajnë ata.

Kur del në rrugë çfarë të thonë më shumë qytetarët këtë periudhë?

Unë kam një motor skuter dhe nuk është e lehtë që njerëzit të mund të më kapin kaq kollaj. Është një bisedë e vogël gjithmonë me djemtë, me njerëzit, përreth. Por, shoh që pothuajse të gjithë e pëlqejnë Vllazninë, në atë kohë kur fitojmë ndeshjet, dhe po ashtu ata vuajnë kur nuk fitojmë. Kështu që, dhe kjo është një lloj kënaqësie, të kesh këta njerëz që të njohin në qytet, sepse në fillim, kur kam mbërritur këtu, askush nuk më njihte si trajner. Ishte paksa e çuditshme sepse është normal që kur je një futbollist profesionist, ata interesohen më shumë për ty. Por tani, kur kaloj përmes qytetit, dhe njerëzit më japin zemrën e ngrohtë dhe e vlerësojnë atë që po bëjmë më bën të lumtur.

Tani të flasim pak për një ditë të zakonshme në Shkodër, si nis? Çfarë bën në një ditë?

Unë zgjohem në mëngjes dhe pi një kafe. Dhe pastaj mendimet e mia janë tashmë për një seancë stërvitore ose për ndeshjet. Kështu që nuk përgatis shpesh mëngjesin. Pothuajse gjithmonë shkoj direkt në stadium. Përgatitem për atë që do të bëjmë këtu, i caktoj detyrat me stafin tim të trajnerëve. Dhe pastaj punojmë për ekipin për ta zhvilluar çdo ditë, madje edhe secilin lojtar gjithashtu, si ekip. Pas stërvitjes, shkojmë për drekë. Tani klubi, dhe falënderoj shumë Alban Xhaferrin, ai ka hapur një restorant të shkëlqyer këtu në stadium. Mund të takohemi këtu, mund të hamë, mund të flasim për futbollin, për gjithçka. Disa herë gjatë periudhës së përgatitjes, kemi dy seanca stërvitore dhe disa herë një, varet nga ngarkesa dhe koha. Dhe, natyrisht, në mbrëmje, ndonjëherë shohim Ligën e Kampionëve ose ndeshje të tjera futbolli. Dhe pastaj them natën e mirë, i fik dritat dhe ëndërroj për disa tituj kampion me Vllazninë.

Po gatimi a të pëlqen, u mësove me ushqimet tona apo jo?

Po, unë gatuaj, jeni të surprizuara? Po, ne gatuajmë shpesh me familjen. Kur u ktheva këtu në Shkodër, kam qenë në shtëpi në Gjermani, dhe detyra ime e  fundit ishte të gatuaja makarona shumë të mira, me pulë, me mish të kuq, spinaq, me kërpudha dhe perime. Kështu që hanim bashkë dhe pastaj erdha këtu në Shkodër për të punuar.

Ne kishim dëshirë të kishim në këtë intervistë edhe partneren tënde po meqe ishte në Gjermani, le t’i dërgojmë një përshëndetje, është mbështetje e madhe për ty apo jo dhe na thuaj pak si e njohët?

Po, jemi të martuar prej 25 vitesh. Është një kohë e gjatë, dhe mendoj se është një bashkëjetesë, një marrëdhënie. Të gjithë duhet të punojnë për këtë. Dhe, kemi dy fëmijë shumë të mirë, Tim dhe Lance. Dhe, mendoj se e gjetëm njëri-tjetrin dhe përpiqemi të bëjmë jetën tonë të bukur.

Edhe djemtë duket se po ndjekin rrugën tënde. Di që njëri prej tyre është futbollist. Po bëhet më i mirë se ju?

Sigurisht. Edhe pse ai mori shumë nga mendimi im, si trajner. Dhe e vlerësoj çdo hap të djemve të mi, sepse nuk është e lehtë të kesh emrin Brdariç mbi shpinë, sepse të gjithë përpiqen t’i krahasojnë me mua, por ata janë lojtarë të tjerë. Ata kanë aftësi të tjera. Ata janë shumë më të lartë se unë. Ata luajnë pozita të tjera. Ata janë mbrojtës qendrorë, të dy. Unë isha sulmues. Kështu që përpiqem të shpjegoj se si duhet të shënojë një sulmues, dhe pastaj ata mund të mbrojnë sulmuesit e tjerë, e kuptoni? Kështu që, pastaj kemi një kombinim të mirë, se si mund të mbrojnë një sulmues të mirë.

Cili është momenti më i vështirë i jetës tuaj dhe më i bukuri?

Po, për të qenë i sinqertë, hapi më i vështirë ishte mbyllja e karrierës sime si futbollist, për shkak të lëndimit. Lëndimi më dhembi shumë në atë kohë, sepse e doja futbollin. Dhe një ditë, nuk mund të luash më. Dhe për këtë, vuajta për të ndaluar karrierën time. Momenti më i lumtur, mendoj, ishte lindja e djemve të mi.

Çfarë është diçka që i mungon klubit Vllaznia, diçka që do të donit të përmirësohet?

Ne si klub po bëjmë shumë përpjekje për t’u përmirësuar çdo ditë. Ndonjëherë duhet të ketë hapësira për zhvillim. Dhe kjo është gjithashtu ajo që dhe si punoj me lojtarët e mi. Jam një trajner shumë kërkues. Kërkoj çdo ditë maksimumin nga lojtarët e mi. Pra, do të thotë që gjithçka ka nevojë për pak kohë për t’u zhvilluar dhe për të zbatuar kërkesat e mia. Dhe kjo është arsyeja pse ka shumë periudha, e kuptoni, në futboll, dhe ne punojmë çdo ditë për të shkuar sa më shpejt të jetë e mundur me hapa përpara.

A jeni i qetë tek Vllaznia apo ka shumë presion këtu në Shkodër, normalisht presion pozitiv?

Unë mendoj se presioni nuk ekziston. Ky është vetëm presioni i mundshëm për të zbatuar ato që janë të rëndësishme për të fituar ndeshjet. Kështu që thjesht duhet të qëndrosh i qetë. Duhet të kesh vëmendjen e duhur. Mendoj se ky është ajo që dëshiron të më pyesësh. Presioni, është, e dini, nëse nuk mund të hash siç duhet sepse nuk ke para për ta bërë atë, nuk di si të mbijetosh në jetë, ky është presion, e kuptoni, për të mbijetuar. Por, nëse je në gjendje të luash në futboll profesional, presioni duhet të menaxhohet ndryshe. Dhe duhet të kuptosh si të kesh një ekuilibër të mirë. Duhet investime. Duhet të punosh fort për të arritur rezultate të mira. Dhe kjo është presioni që ke për veten tënde, për të treguar rezultate të mira dhe që të ofron atë që dëshiron trajneri, atë që kërkon klubi, ose objektivat që ka klubi. Dhe kjo, pra, gjithçka është paksa komplekse, e kuptoni, në futbollin profesional. Kështu që të gjithë duhet ta vlerësojmë që punojmë për futbollin.

Tani do donim një mesazh nga ju për tifozët por pse jo për të gjithë qytetin. Çfarë mesazhi keni?

Po. Unë duhet të kërkoj që ta shoh. Një sekondë. Ja e gjeta, të dua, të dua, të dua Vllaznia. Të dua Vllaznia sepse kemi të gjithë ëndrra por ne mundemi vetëm ta kalojmë bashkë çdo gjë me gjitha të mirat e të këqijat dhe duhet të pranosh performancat e lojtarëve sepse në të gjithë si skuadër duam të kemi sukses. Dhe duhet gjithashtu t’u japim lojtarëve dhe ekipit hapësirë për zhvillim dhe të besojmë, dhe të besojmë në rrugën tonë për sukses.

Në këtë bisedë bashkë me trajnerin janë bashkuar me ne edhe disa prej futbollistëve, Balaj, Gurishta, Qarri dhe Dodaj. Trajner kush ju mërzit më shumë nga  lojtarët si dhe kush janë ata me të cilët nuk ke probleme kurrë?

Brdariç: Më bëre një pyetje direkte kryesore. Zakonisht vijnë të gjithë herët por nganjëherë ka raste kur vonohen. Për shembull janë arsyet familjare, trafiku rrugor, shkojnë në Xhami disa dhe vonohen për të ardhur. Nuk kam dikë në mendje që më ka bërë të ndjehem keq.

 Kush vjen i pari në stërvitje dhe kush vjen i fundit?

Brdariç: Shpesh herë i pari që vjen në stërvitje është Gurishta që kam këtu. Pastaj ka raste që po ashtu shpesh vjen Amir Kahrimanoviç dhe ai më thërret mua Zlatan. Kemi dy Amir në ekip. Besoj se ai që vjen më shumë i pari është Gurishta.

Çfarë do të kishit dëshiruar që trajneri të përmirësojë?

Gurishta: Po flas unë duke qenë se kam punuar më përpara me Brdariç për dy vite dhe ky është viti i tretë. Jam duke folur shqip dhe trajneri nuk më kupton edhe pse e kam këtu afër. Ka shumë gjëra pozitive. Kemi marrëdhënie shumë të mira. Edhe na pyet për përditshmërinë.  Ajo që do doja të përmirësojë është që të jetë pak më i ftohtë në pankinë. Ka shumë raste që është shumë emocional dhe mbase këtë duhet ta rregullojë.

Balaj: Unë do thosha që duhet që të mësojë më shumë gjuhën shqipe. E kam thanë që Brdariç është tipik gjerman, shumë korrekt, i përpiktë. Çdo ditë i motivuar për të punuar gjë që e bën të veçantë.

Të shohim sa e njihni trajnerin. Cili është ushqimi i tij i preferuar?

Balaj: Nëse po pyet për ushqimin që ka dëshirë për lojtarët janë pastat. Ato i ka të preferuara.

Të pëlqejnë pastat?

Brdariç: Po. Për lojtarët. Patjetër që po. Unë duhet që të jem profesional dhe të ushqehemi profesionalisht. Të ushqyerit është një nga pjesët më të rëndësishme, e kupton. Na duhen karbohidrate dhe pastat kanë shumë karbohidrate.

Kush është këngëtari ose grupi muzikor që preferon Brdariç?

Gurishta: Këtë gjë nuk e di ta them por ajo që dimë është se në dhomat e zhveshjes përpara ndeshjeve trajneri ka dëshirë që të ketë muzikë, të ketë atmosferë dhe kur nuk ka muzikë thotë ku është muzika, përse nuk ka muzikë.

Kush është këngëtari juaj i preferuar ose një grup muzikor që preferoni?

Brdariç: Oh të preferuar? Kam shumë por më pëlqen më shumë muzika tekno, muzika house. Pra është një përzierje. Ndonjëherë dua muzikë pak më të shpejtë, varet nga gjendja që jam. Në mbrëmje dua një muzikë pak më të butë, më të qetë.

Çfarë e bën për të qeshur trajnerin?

Dodaj: Rezultatet e mira.

Qarri: Ndonjëherë qesh kur ekipi është i lodhur në stërvitje dhe trajneri kërkon që të na motivojë dhe skuadra vijon me atë ritmin e dobët pastaj bëhet me nerva ndërsa ndonjëherë ne qeshim nga kjo situatë.

Balaj: Pastaj i pyet lojtarët, çfarë ke, çfarë ke?

A mund të na thuash trajner nga një kritikë dhe nga një kompliment për lojtarët që kemi këtu të pranishëm?

Brdariç: Kjo është një pyetje vërtetë e madhe për mua. Aktualisht mundohem që t’i mbaj të gjithë në një balancë dhe kur ne bëjmë analizën fillimisht u tregojmë lojtarëve çfarë po bëjnë më mirë në vija të përgjithshme, cilat janë gjërat pozitive dhe natyrisht kritikat janë pjesë e kësaj gjëje, gjithashtu gjërat negative dhe si mund të vetëpërmirësohen dhe si mund ta bëjnë herën tjetër më mirë sepse duam të rrisim forcën tonë dhe të zvogëlojmë dobësitë tona.

Keni pasur ndonjë rast që jeni nevrikosur me trajnerin?

Gurishta: Të them të drejtën ka pasur raste se nuk duam që të gënjejmë. Ndoshta ndonjë ditë në stërvitje kur nuk jemi në formën më të mirë dhe trajneri na flet aq shumë dhe ai është një moment që mund të bëhemi me nerva. Pastaj ka raste kur në fushën e lojës na flet ndonjëherë. Janë nerva momentale dhe nerva për t’i mbajtur gjatë jo.

A mund të na përshkruani trajnerin tuaj?

Balaj: Trajneri punon shumë për harmoninë e grupit dhe për marrëdhënien me njëri-tjetrin, për problemet që i diskutojmë bashkë. Pas ndeshjeve kemi biseda me gjithë lojtarët dhe kemi lirinë dhe hapësirën tonë për të thënë se çfarë duhet të përmirësojmë. Mendoj se është një motivim i madh për ne që të përmirësohemi.

Një pyetje për Dodaj, trajneri shpesh herë tek ti ka shpresat dhe të thërret gjithmonë gjatë ndeshjes dhe dëgjohet në gjithë stadiumin duke bërtitur Dodaj afrohu, Dodaj ec, Dodaj kape, Dodaj shko, vrapo. Pse ndodh kjo?

Dodaj: Unë jam më i vogli dhe i mirëkuptoj të gjithë kur më flasin. Trajneri mundohet që të më shoh mua sa më mirë dhe gjithë çunat e ekipit kur më flasin nuk i marr për keq.

Balaj: Është edhe pozicioni i Dodaj që luan në krah dhe një pjesë të lojës është afër pankinës dhe është më i riu ndaj edhe i flet pak më shumë.

Gurishta: Ne i flasim Dodaj për të mirën e ti. Është më i riu dhe po nuk i fole e humb përqendrimin dhe ne e dimë se çfarë cilësish të mira ka dhe kjo është arsyeja që edhe trajneri e thërret shpesh emrin e Dodaj.

A është trajneri ende një futbollist i mirë, a luan ndonjëherë me ju?

Gurishta: Trajneri ka problem gjurin që nga koha e dëmtimit kur ka qenë futbollist dhe nuk luan shumë me ne sepse e ka të pamundur. Cilësitë e tij dihen sepse ka luajtur në nivele të larta por tani nuk luan më.

Balaj: Trajneri në fakt tani është një notar shumë i mirë. Për not na e merr të gjithëve.  Në pishina noton shumë.

Gurishta: Pas ndeshjeve kur kemi rikuperim ka raste që shkojmë në palestër dhe aty ka edhe pishinë. Trajneri shkon para nesh dhe ne e gjejmë aty duke notuar. Ne kryejme palestrën dhe trajneri është ende duke notuar, pra noton rreth 90 minuta pa u ndalur. Nuk e di si ja del por është i jashtëzakonshëm për këtë pjesë.

Qarri kur pëson gola, a mërzitesh dhe çfarë të thotë trajneri dhe lojtarët?

Qarri: Çdo gol që pëson sidomos kur goli që pëson bën që skuadra të jetë në humbje patjetër që duhet të gjejmë  forca për ta kthyer rezultatin. Ato raste të pakta që ka kundërshtari duhet që unë t’i pres në mënyrë që të mos shkojmë në dy gola disavantazh dhe t’i jap mundësi shokëve të skuadrës që të barazojnë dhe kalojnë në avantazh.

Balaj: Kur pëson Qarri gol në fakt mërzitemi të gjithë se kemi dështuar që të fitojmë dhe që ta ndihmojmë Qarrin.

Cila është këshilla më e mirë që trajneri ju ka dhënë?

Dodaj: Gjithmonë na motivon që të vazhdojmë përpara.

Gurishta: Shumica e këshillave janë atëherë kur ekipi është në situatë të vështirë. Kur jemi mirë jemi të motivuar dhe ndoshta nuk ke nevojë shumë për këshilla por kur jemi në vështirësi atëherë kemi nevojë dhe në ato raste trajneri ka ditur që të na motivojë. Na ka bërë që të jemi gjithmonë me kokën lart dhe jo kokën ulur. Mund ta humbësh një ndeshje por nuk ke humbur ende luftën.

Balaj: Fjala që trajneri përdor gjithmonë në dhomat e zhveshjes është besimi të jep energji. Kjo është si moto e tij.

Qarri: Edhe diçka tjetër që na e thotë në analiza pas ndeshjeve është që detajet e vogla bëjnë diferencën.

Çfarë bëni kur nuk ju pëlqen vendosja në fushë ose kur zëvendësoheni?

Balaj: Kur ka zëvendësime lojtari që del normalisht që mërzitet pak. Zëvendësimet i bën trajneri sepse e sheh ndeshjen nga jashtë dhe është i ftohtë. Normalisht që çdo lojtar ka dëshirë që t’i luaj 90 minuta dhe askush s’ka dëshirë që të dalë nga fusha. Por këtu jemi të gjithë për një qëllim, jemi një skuadër, mërzitesh pak me zëvendësim por e kupton që është në të mirë të skuadrës dhe është trajneri që i merr vendimet dhe ne e pranojmë. Kur jemi në fushë duhet të japim më të mirën.

Kur fitoni një ndeshje kujt i jepet më shumë merita, trajnerit apo lojtarëve në fushë?

Qarri: Besoj suksesi shkon për gjithë ekipin, nuk ka një ndarje. Çdo rol dhe çdo pozicion ka shumë rëndësi sepse nëse nuk funksionon një hallkë është shumë problem për ekipin.

Balaj: Unë mendoj kur humbet përgjegjësinë më të madhe e merr trajneri kur fitohet pastaj është pak ndryshe sepse nis e shpërndahet ajo pjesë por gjithmonë ne dhe trajneri matemi me sukses. Suksesi tregon dhe vendos jetëgjatësinë tonë ose shërben për t’u ngjitur më lart.

Tani do donim t’i thoni trajnerit diçka që nuk ja keni thënë ndonjëherë?

Qarri: Në fakt unë nuk kam shumë punë me trajnerin sepse punën më të madhe e kam me trajnerin e portierëve Ideal Lekiqi dhe nuk kam diçka konkrete për t’i thënë.

Balaj: Faleminderit për gjithçka, ja them edhe në gjermanisht. Kam mësuar pak gjermanisht kur kam jetuar në Austri dhe i flas ndonjë fjalë gjermanisht.

Brdariç: Unë do mësoj më shumë shqipen dhe ti Bekim duhet të përmirësohesh tek gjermanishtja.

Gurishta: Ajo që thashë edhe më përpara që të mos jetë shumë emocional dhe kjo është hera e parë që e them.

Dodaj: E vetmja gjë dua t’i them është vetëm faleminderit.

Balaj-Dodajt: Thuaj trajnerit që të vazhdojë që të ketë besim tek ti dhe të vijojë që të aktivizojë në lojë.

 


AlbaniaWeb.net