Wed, Nov 27, 2024

Gjykata heq masën e sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha

  • PublishedNovember 27, 2024

“Gjykata ka vendosur revokimin e masës së sigurimit personal ‘arrest në shtëpi’ për të pandehurin , për shkak se nuk ekzistojnë më nevojat e sigurimit”, – sqaroi për BIRN koordinatorja për të drejtën informimi në këtë gjykatë, Elsa Lita.

Ndërsa avokati i kreut të PD-së, , tha për mediat pas vendimit se Berisha nga ky moment “është i lirë dhe pa asnjë masë sigurimi ndaj tij”. Megjithatë ai shtoi se procesi ndaj klientit të tij ishte politik.

Përgjatë një viti gjykatat e të gjitha niveleve lanë në fuqi masën e arrestit shtëpiak, një masë që GJKKO e mori pasi Berisha refuzoi të zbatojë masën ‘detyrim paraqitje’, duke e cilësuar atë si antikushtetuese.

Ish-kryeministri është marrë i pandehur me akuzën “korrupsion pasiv” në tetor nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dhe çështja ka shkuar në gjykatë për shqyrtim.

I pandehur për të njëjtën vepër penale është marrë edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për përfitimin e të ardhurave në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.

Edhe pse në arrest shtëpie Berisha vijoi aktivitetin e tij politik duke mbajtur fjalime për simpatizantët e tij çdo ditë në dritaren e apartamentit të tij ku po vuante dënimin, ndërsa Kuvendi nuk ia hoqi mandatin e deputetit duke e cilësuar mungesën të justifikuar.

Berisha, 80 vjeç, është zyrtari më i lartë i opozitës në tre dekada që përballet me një situatë të tillë ligjore. Hera e fundit që një ish-kryeministër është përballur me heqje imuniteti, arrestim dhe proces gjyqësor ka qenë në vitin 1993, kur mazhoranca e asaj kohe e Partisë Demokratike autorizoi arrestimin dhe përndjekjen e ish-kryeministrit socialist, Fatos Nano.