Thu, Nov 28, 2024

Dridhet “Zonja e Vjetër”, Juve ngec ndaj Aston Villa-s, Motta: Do luftojmë për t’u kualifikuar

  • PublishedNovember 28, 2024

Me 8 mungesa të rëndësishme dhe pa një sulmues të mirëfilltë, pa Vlahovic mbi të gjithë, Juve e ka të vështirë të shënojë, të fitojë. Përballë Aston Villa-s, mbase ishin dhe me fat që dalin me një pikë, por shifrat trembin jo pak “Zonjën e Vjetër”. 8 pikë në 5 ndeshje janë shumë pak për një ekip si Juve.

Në Birmingem u zhvillua një ndeshje e ekuilibruar, fillimisht ishte talenti Watkins që flirtoi me golin, ndërsa në fraksionin e dytë, Juve ishte me fat ku ekzekutimi i Digne nga goditja e dënimit u përplas në traversë. Në 90-minuta, Juve gjeti vetëm një dy herë kuadratin, por një prej tyre ishte një rast i pastër, ku goditja më kokë i Conceica-s u devijua në limite me Dibu Martinez.

Fundi i ndeshjes prodhoi një rast për moviolë, me Aston Villa-n që gjeti rrugën e rrjetës, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për faull ndaj portierit Di Gregorio. Në fund, dy ekipet ndanë nga një pikë pas barazimit 0-0.

Për Thiago Motta-n, kjo ishte një pikë e rëndësishme: “Morëm një pikë duke luajtur në mënyrë të ekuilibruar. I lejuam pak raste, por gjithashtu krijuam pak pasi ishim të kujdesshëm të mos i jepnim Aston Villa-s atë që kërkonte. Në përgjithësi ishte një paraqitje e mirë, do të vijojmë të luftojmë për të siguruar kualifikimin”, u shpreh Motta.

()


AlbaniaWeb.net