Fri, Nov 29, 2024

Gola, spektakël dhe VAR, Tottenham-Roma, “luftë” për një pikë, Ranieri: Treguam që dimë të luajmë futboll

  • PublishedNovember 29, 2024

4 gola të shënuar, VAR, raste për shënim, por në fund, Tottenham dhe Roma ndanë nga një pikë pas barazimit 2-2. Hummels ishte protagonisti absolut i këtij takimi, “engjëll dhe djall” pasi fillimisht shkaktoi një 11-metërsh në minutën e 5-të i konvertuar në gol nga Son.

Roma reagoi shpejt dhe minutën e 20-të, N’Dicka me kokë barazoi shifrat në 1-1. Dy ekipet zhvilluan një futboll të hapur, me Tottenham që u rikthye në avantazh në minutën e 33-të me Johnson. Roma nuk u dorëzua për asnjë minutë, por VAR iu kthye në makth duke u anuluar jo pak, por tre gola.

Më në fund, atëherë kur më pak pritej, në shtesë, Hummels në shtyllën e dytë e kishte të lehtë të devijonte topin në portën e boshatisur duke i dhuruar Romës një pikë të vyer në një transfertë të vështirë.

Pas xhiros së 5-të, Tottenham ndodhet në vendin e 9-të në kuotën e 10-të pikëve, ndërsa Roma pozicionohet në vendin e 21-të me 6 pikë.

Pavarësisht se nuk ka provuar shijen e fitores në këtë rikthim të tij të tretë te Roma, Claudio Ranieri del i kënaqur nga kjo transfertë: “Djemtë bënë një ndeshje të madhe. I kërkova të luanin në sulm, doja një skuadër sulmuese dhe djemtë u përgjigjën. I treguam tifozëve se jemi të aftë të luajmë futboll”, u shpreh Ranieri.

()


AlbaniaWeb.net