Arinaldo Rrapaj “vesh me ar” Partizanin, të kuqtë e shesin në Ukrainë
Partizani po e kthen në “minierë ari” tregun e transferimeve, me klubin e kuq që vijon me sukses fushatën e shitjeve të lojtarëve. Pas Andi Hadroj, “demat” kanë bërë gati edhe shitjen e xhevahirit tjetër të ekipit Arinaldo Rrapaj.
E përditshmja më e madhe sportive në vend, “Panorama Sport”, mëson se Rrapaj është drejt shitjes në kampionatin ukrainas. Klubi i Kolos Kovalivka është shumë i interesuar për mesfushorin dhe është në negociata të avancuara me drejtuesit e kuq për mbylljen e një marrëveshje mes palëve. Aktualisht është arritur akordi total me lojtarin dhe klubet janë në plotësimin e detajeve të fundit të këtij operacioni.
Klubi ukrainas mësohet se fillimisht ka ofruar 500 mijë euro për Partizanin, por të kuqtë e kanë refuzuar. Ukrainasit janë kthyer me një ofertë më të përmirësuar prej afro 600 mijë eurosh, plus “demat” do të mbajnë edhe 20% të kartonit, një ofertë e cila ka bindur drejtuesit e Partizanit.
Kjo marrëveshje pritet të mbyllet menjëherë pas derbit të kryeqytetit. Prej kohësh, Rrapaj, fituesi i “Topit të Artë” një vit më parë, ka qenë me një këmbë larg kryeqytetit, sipas të gjithë gjasave, derbi kundër Tiranës këtë të diel do të jetë i fundit për të me fanellën e kuqe.
()