Tenderi për rërën në plazhin e Currilave, si e anashkaloi Dako dhe punonjësit e tij raportin e KLSH, ja dëmi që i shkaktuan buxhetit – Balkanweb.com – News24
Zbardhen detaje nga dosja hetimore që çoi pas hekurave ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dosjen e plotë ku flitet për akuzat që rëndojnë ndaj Dakos dhe ish-zyrtarëve të tjerë të bashkisë së Durrësit, për një pallat që thuhet se ka bërë 3 kate pa leje shtesë si dhe për një tender për mbushjen me rënë në plazhin e Currilave, për të cilin është shkaktuar dëm ekonomik.
Në dosjen hetimore thuhet se edhe pse në një raport të KLSH-së flitej për një dëm ekonomik me vlerë 8.395.200 lekë, pra 40% e vlerës së kontratës, zyrtarët e bashkisë së Durrësit në vitin 2014-2015 nuk zbatuan procedurat, por shkelën detyrën.
“Nga të dhënat e marra nga Open Data, në lidhje me pagesat e shumave në fjalë nëpërmjet Degës së Thesarit Durrës, rezulton se pagesa e shumës së kontratës është bërë në dy këste, dhe kjo sipas parashikimit të fondeve buxhetore për pagesën e kësaj kontrate në dy vite buxhetore, në vitet 2014-2015. Më konkretisht fatura e datës 24 tetor të vitit 2014 është bërë pagesa e shumës prej 12.592.800 lekë dhe me faturën e datës 21 dhjetor të vitit 2015 është bërë pagesa tjetër prej 40% e vlerës së saj prej 8.395.200 lekë. Sikurse rezulton, pagesa e këstit të dytë, është kryer gjashtë muaj pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka bërë me dije Bashkisë së Durrësit shkeljet ligjore dhe evidentimin e dëmtimit ekonomik për këtë procedurë.”, thuhet në dosje.
Nga hetimet e SPAK, ka dyshime se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, anëtarët e grupit të punës, Adhurim Dehajaj, Adnand Toçila, Diana Dedja, kryetari i bashkisë së asaj kohe, Vangush Dako, me ndërgjegje dhe vullnet kanë kryer veprime të kundërligjshme, në kundërshtim me përmbushjen e rregullit të detyrës, duke sjellë si pasojë dënimin ekonomik të buxhetit të Bashkisë së Durrësit prej 18.318.400 lekë.
“Në lidhje me anën subjektive, rezulton që jo vetëm që të gjithë këta shtetas kanë pasur dijeni për veprimet e kundërligjshme të tyre, por nuk rezulton aspak sikurse ata e paraqesin që ka qenë një gabim material, pasi sikurse rezulton nga provat jo vetëm që ata nuk kanë marrë asnjë masë për rikuperimin e dënimit ekonomik sipas konkluzioneve dhe rekomandimeve të KLSH. Por pasi janë vënë në dijeni për shkeljet ligjore të evidentuara nga ky institucion nëpërmjet raportit të dhjetorit të 2015-ës, pra gati 6 muaj më pas kanë ndihmuar me veprimet e tyre ardhjen e mëtejshme të pasojave të thellimit të dënimit ekonomik, duke urdhëruar Degën e Thesarit që nga buxheti i bashkisë të kalojë në favor të shoqërisë Sphaera, shumën e këstit të dytë prej 8.395.200 lekë, që korrespondon me 40% të vlerës totale të kontratës.”, thuhet në dosje.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–