VIDEO/ Del me motor nga parkingu, agjentë me jelekë fosforeshentë e ndalojnë, shihni momentin e arrestimit të sarandjotit të akuzuar për pastrim parash në Greqi
Thanas Thoma Bako alias Athanasios Sebastian Bako, 52 vjeç, nga Saranda, u arrestua më 31 maj nga policia greke teksa për Europol ai është konsideruar një nga “peshqit e mëdhenj” të pastrimit të parave që rrjedhin nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Detajet e operacionit u bënë publike gjatë ditës së djeshme nga policia dhe mediat greke.
Ky është pikërisht momenti kur Thanas Bako arrestohet nga agjentët e policisë greke. Ai del me motorrin e tij nga parkingu i kompleksit ku jetonte dhe i bëhet shenjë nga agjentë të veshur me jelekë fosforeshentë që të ndalojë. Pasi ndalon, ata e rrethojnë dhe i vendosin prangat. Siç shihet në video ka një moment kundërshtie, por më pas 52-vjeçari dorëzohet.
Po kush është 52-vjeçari nga Saranda
Profili i Bakos nuk është i panjohur për policinë lokale. Në fund të viteve ‘90 dhe fillim te viteve 2000 ai është konsideruar si personazh me lidhje të forta në Sarandë me trafikantë ndërkombëtarë droge kryesisht të marijuanës nga Shqipëria në Greqi. Megjithatë skedën penale e ka të pastër në Shqipëri.
Në vitin 1998 gjithsesi ai rezulton të jetë ndodhur në Kanada, ku rezulton bashkëaksioner me shtetasin Th. P nga Saranda, në kompaninë e investimeve “Quebec Inc.” e cila aktivitetin e saj e ka deri ne vitin 2012. Bako më pas ka zhvilluar aktivitetin e tij në Greqi, por mesa duket, pa i shkëputur kurrë lidhjet me botën e krimit. Vitet e fundit Bako rezulton të jetë pronar i 99 % të aksioneve në një kompani Real Estate në Greqi.
Në pronësi të kësaj kompanie rezulton apartamenti luksoz i tij në Glifadha ku edhe ku arrestua si dhe disa apartamente të blera në Dafni dhe Ilioupoli. Përmes kësaj kompanie, ai rezulton se kryente pastrim të parave të karteleve të drogës, kryesisht nga Holanda e Belgjika.
Ai rezulton se u jepte udhëzime korrierëve se ku t’i merrnin e çonin paratë dhe duke përfshirë dhe konvertimin në kriptovaluta, kryente pastrimin e tyre dhe transferimin në shtete off shore dhe kryesisht në Dubai. Autoritetet holandeze kanë mbërritur deri tek emri i Bakos pas shkatërrimit të disa grupeve kriminale, nga komunikimet e të cilave përmes aplikacioneve të enkriptuara, kanë zbuluar një emër të koduar i cili më pas rezultoi të ishte pikërisht sarandjoti 52-vjeçar.
Sipas hetimeve të deritanishme, ai rezulton të ketë qarkulluar rreth 250 milionë euro brenda 10 muajve, para të ardhura nga trafiku i drogës. Autoritetet holandeze kanë informuar homologët grekë, të cilët pasi e kanë ndjekur për 6 muaj Bakon, e kanë prangosur me qëllim ekstradimin në Holandë, edhe pse sipas burimeve do i nënshtrohet edhe një hetimi në Greqi pasi ka dyshime edhe për pastrim parash në këtë shtet.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia greke gjeti dhe sekuestroi shuma parash në kartëmonedha me origjinë nga vende të ndryshme, mes të cilave euro, dollarë amerikanë, dollarë kanadezë, dollarë australianë, franga zvicerane, lira turke, Dirhemë të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Rand të Afrikës së Jugut si dhe dy ora luksoze. U sekuestruan edhe telefona celularë, përfshirë një celular që përdoret për biseda të koduara përmes aplikacioneve speciale, një tabletë, një disk dixhital dhe karta SIM, të cilat janë dërguar në Holandë për ekzaminim laboratorik pas miratimit të dhënë nga autoritetet gjyqësore.
Bako në Greqi profil të ulët, në TIMS rezulton pa pasaportë biometrike
52-vjeçari Thanas Bako rezulton të ketë lëvizur për herë të fundit nga Shqipëria në Greqi, të paktën në mënyrë të ligjshme, në vitin 2010 përmes një leje kalimi ndërsa përmes një pasaporte të vjetër, në vitin 2009. Ai nuk rezulton posedues i një pasaporte biometrike sipas sistemit TIMS, ndërsa dyshimet janë se mund të ketë ardhur më pas në Shqipëri përmes kalimit të paligjshëm nga kufiri gjelbër në zonën e Konispolit.
Në Greqi ai mbante një profil të ulët dhe qarkullonte me një motor “Harley Davidson” edhe pse banesa e tij në Glifadha ishte luksoze. Arrestimi tij nga autoritetet greke është kryer në 31 maj por është bërë publik nga dy komunikata të Europol dhe Policisë greke në 6 qershor. Në Greqi dhe në Shqipëri ai rezulton pa precedentë penalë.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–