Wed, Dec 11, 2024

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, Spiropali propozon emërtimin e dy sallave të Kuvendit me emrat Bashkim Fino dhe Gerti Bogdani

  • PublishedDecember 11, 2024

Në mbledhjen e sotme të  Konferencës së Kryetarëve, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, propozoi emërtimin e dy sallave të Kuvendit me emrat Bashkim Fino dhe Gerti Bogdani.

Spiropali u shpreh se në këtë mënyrë ka vendosur për të nderuar emrin dhe kontributin e dhënë prej të ndjerëve në fushën politike, shoqërore dhe parlamentare.

“Dëshiroj t’ju bëj me dije se kam vendosur që për të nderuar emrin dhe kontributin politik, shoqëror e parlamentar të dy personaliteteve të shquar, të ndarë nga jeta, dy sallave të mbledhjeve në mjediset e ndërtesës së sallës së seancave të Kuvendit, t’u vëmë njërës emrin Bashkim Fino dhe tjetrës emrin Gerti Bogdani.

Bashkim Fino, ish-Kryeministër i Shqipërisë, ish-ministër dhe deputet i Kuvendit për 6 legjislatura, u nda nga jeta në detyrë, si deputet i Kuvendit.

Gerti Bogdani, deputet i Kuvendit, për 2 legjislatura, u nda nga jeta në moshë të re.

Besoj se kam mbështetjen tuaj dhe të deputetëve të Kuvendit.”-u shpreh Spiropali.