Wed, Dec 11, 2024

Përmbytet varka me 65 emigrantë në Ishujt Kanare të Spanjës, humbin jetën 6 prej tyre

  • PublishedDecember 11, 2024

Të paktën gjashtë emigrantë kanë humbur jetën në përpjekje për të arritur në Ishujt Kanari të Spanjës duke lundruar me varka të pasigurta nga Afrika Perëndimore, thanë të mërkurën shërbimet emergjente dhe Kryqi i Kuq.

Pesë prej 65 emigrantëve që mbërritën në ishullin e vogël, El Hierro, gjatë natës me varkë të hapur, u gjetën të vdekur, thanë shërbimet emergjente.

Një emigrant tjetër u gjet i vdekur në njërën prej tri varkave të tjera që u shpëtuan nga roja bregdetare e Spanjës.

Për herë të dytë radhazi, numri i imigrantëve që shkojnë në Ishujt Kanari të Spanjës shënoi rritje rekorde në vitin 2024.

Numri i emigrantëve që zhduken apo vdesin gjatë udhëtimit është duke u rritur pesë herë më shpejt sesa numri i atyre që mbërrijnë të gjallë, tregojnë të dhënat e fundit.

Lundrimi përmes Atlantikut është në veçanti i rrezikshëm, pasi moti i lig mund lehtësisht t’i fundosë varkat e brishta dhe gomonet që emigrantët i përdorin më së shumti.

Rreth 20.000 emigrantë të parregullt kanë mbërritur deri tani këtë vit në El Hierro, sipas Kryqit të Kuq./REL