“Partia e asgjësë me vulë, dhe…”/ Zhvillimet në PD, Ylli Manjani: Berisha dhe themeluesit të marrin përgjegjësinë, pse e lanë PD në dorë të një matrapazi?
Ish-ministri Ylli Manjani ka komentuar zhvillimet e fundit të ndodhur dje në PD, mbledhjen maratonë e cila zgjati deri në mesnatë.
Në një reagim në Facebook, ai nuk i kursen ironitë teksa shkruan se kjo që po ndodh largon PD gjithnjë e më shumë nga Shqipëria e shqiptarët.
“Në njërën anë partia e asgjësë me vulë, në anën tjetër demokratët pa vulë të askundit”, shkruan ai.
Ndër të tjera, Manjani shkruan se nëse Berisha dhe themeluesit e asaj partie janë emocionalisht të përfshirë me atë logo e vulë, është koha të marrin përgjegjësinë përse ja lanë “në dorë një matrapazi si Lul Basha, që lun në treg të zi”.
Reagimi i plotë:
Ja pra se si PD largohet gjithnjë e më shumë nga Shqipëria e shqiptarët.
Në njërën anë partia e asgjësë me vulë, mblidhet për asgjënë, zihen për asgjënë, dorëhiqen nga asgjëja e kthehen prap tek asgjëja. Njëri më asgjë se tjetri, i tregojnë njëri-tjetrit se sa asgjë janë. Një asgjë që i dhunon edhe asgjë-Basha.(kur bën dhe Bashë asgjëja si i fortë, hapu dhé)
Fantazma komplet. Krejt pa lidhje me realitetin.
Në anën tjetër demokratët pa vulë të askundit, vijojnë të ecin në askund, të vetëdijshëm që po shkojnë askund, duke sharë e përqeshur asgjënë dhe, duke u ankuar për pushtetin.
Një asgjë e një askund që merren me njëri-tjetrin dhe kaq. Po kur thonë “të bëhen bashkë”?! Hahahahahha.
Bashkim i asgjësë me askundin.
Le pastaj kur media raporton me pathos lajme për asgjënë dhe për askundin si zhvillime në PD. Njerzit thjesht nuk dëgjojnë më për PD, sepse sa ta gjejnë se për cilën PD është fjala ka dalë lajmi tjetër…
Fiks këtë gjë kërkon pushteti absolut!☹️
Kjo është ekzakt arësyeja që sugjerojmë krijimin e një partie të re dhe kyçjen e PD historike në muze dhe, lënien e vulës në tregun e zi politik se nuk i duhet më as dreqit.
Edhe një gjë të fundit, nëse Berisha dhe themeluesit e asaj partie janë emocionalisht të përfshirë me atë logo e vulë, është koha të marrin përgjegjësinë përse ja lanë në dorë një matrapazi si Lul Basha, që lun në treg të zi.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–