Sat, Apr 19, 2025

Socialistët do të humbasin busullën

  • PublishedDecember 16, 2024

NGA ERVIN SALIANJI

Në 34 vite në Shqipërinë postkomuniste, një forcë politike mund të kishte bërë shumë gjëra. Mund të kishte qeverisur, mund të kishte sjellë rezultate, mund të kishte humbur, mund të kishte kaluar shumë kohë në opozitë. Mund edhe të mos kishte mbijetuar. Ndryshe nga forcat e tjera në vend, por sidomos në të kundërt me atë që sot njihet si “Rilindje”, Partia Demokratike ia ka dalë të ruajë shpirtin e saj. Socialistët kanë administruar më shumë pushtet në këto 34 vite, padyshim. Kanë siguruar me pasuri, jetën e shumë të vetëve në kupolën e këtij grupimi. Por e kanë bjerrë shpirtin, madje edhe të vetëve.

Në eventualitetin e ndryshimit, e rrotacionit, PS dhe rilindja, do të shkonin në një greminë të frikshme e të errët. Ata kanë humbur vlerat bazike për të cilat një organizim i tillë qëndron dhe mes vetes kanë intriguar e copëtuar për më shumë inat e hakmarrje të një jete. Cila është fabula e tyre sot? Pse janë aty dhe pse duan me çdo kusht ta mbajnë karrigen? A ka një ide të madhe, përtej drejtuesve e përfaqësuesve të tyre që i orienton. A ka piketa morale? Një qëllim mbi interesat personale? Asgjë nga këto. Ndaj me ikjen e pushtetit, socialistët do të humbasin atë busull që i mban sot bashkë. Nevoja për përfitim e mbrojtje nga ligji është e vetmja ideologji që kanë. Pikërisht prej kësaj, kriza e ndërgjegjes së tyre është tejet e thellë, duke njohur mpleksjen me të keqen, me të gabuarën, me korrupsionin e krimin. Humbja e shpirtit për “rilindasit” solli humbjen e karakterit.

Ata janë prodhim i një matrice. Po ta shihni te deputetet dhe ministrat, edhe gjestet i bëjnë tanimë njësoj si Edi Rama. Duan thjesht të jenë shëmbëlltyra e tij. Ky lloj kulti, dihet se çfarë prodhon. Një totalitarizëm, që më pas i aplikuar në qeverisje, sjell deformime të rënda. Ky totalitarizëm ka prodhuar që Kushtetutë të kemi karakterin e Ramës për qeveri, personalitetin e tij! Këtë javë nuk pranoi interpelancën e kërkuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, duke shpikur një normë të re kushtetuese, sepse sipas tij dhe rilindësve, vullneti i tij është norma më e lartë. Në një tjetër ngjarje kishte mbledhur ambasadorët dhe fiks si Hibatullah Akhundzada i Afganistanit iu mësonte se çfarë është demokracia, se kush udhëheq në Shqipëri e se si Shtetet e Bashkuara nuk ia dolën dot në Afganistan e nëse nuk ka dëshirë Hibatullah Rama do dështojnë edhe në Shqipëri. Aty ku trillet dhe humoret personale të udhëheqësit bëhen normë e ligj. Siç është kjo për shembull, ku ai që bën një konferencë shtypi, denoncon faktin e provuar, se vëllai i ministrit të Brendshëm është një i dënuar për trafik droge, ai dënohet me burg.

Dikush që nuk ka bërë kallëzim fare, dënohet për kallëzim të rremë. Në kontrast me socialistët, veçanërisht me këtë amalgamën që ndërtoi Edi Rama me prurjet e arrivistëve të pafre e të pangopur në abuzime, anëtarët e familjes sonë politike e kanë ruajtur një ide, një fabul, një lloj aspirate, me gjithë vështirësitë e 12 viteve shtypje e margjinalizim. Partia Demokratike ka sot po aq karaktere sa anëtarë ka. Ky lloj diversiteti mund të jetë i pafavorshëm në kuptimin organizativ e elektoral, po është padyshim një pasuri e madhe e kësaj force. Çdokush është i ndryshëm, ka një botë të tijën. Në PD, në vitet e fundit u bë betejë e madhe për të kundërshtuar, për të mos rënë dakord. Por, ka një cak ku gjërat marrin drejtim. Ajo është e vërteta. Është konstatimi se kush e ka me tërë mend, kush e ka seriozisht luftën.

Mund të mos biesh dakord me liderin e demokratëve për shumë aspekte. Dhe në fakt, edhe mund t’ia thuash ato në sy. Por, politika është realizëm dhe në fund ai që ka besimin e shumicës së demokratëve, dhe pse të ndryshëm nga njëri-tjetri, ka edhe të drejtën. Kjo pasuri ende e ruajtur, ky shpirti demokrat është aseti më i vyer që kjo parti ka sot, 34 vite pas krijimit të saj. Dhe është padyshim aseti më i madh që ka, për të pasur sukses, për të triumfuar në zgjedhjet që po vijnë. Prej kësaj lirie, prej këtij karakteri lind antikonformizmi nga ku merr jetë ndryshimi që i duhet patjetër këtij vendi./Gazeta Panorama