Oriola Marashi flet për betejën me ankthin dhe pasiguritë: Duaje veten për atë që je
Modelja e njohur shqiptare, Oriola Marashi, ka ndarë me ndjekësit e saj një histori të ndjeshme nga jeta personale, duke folur për periudhën e vështirë kur vuante nga ankthi dhe presioni i perfeksionit të imponuar nga rrjetet sociale.
Në një përgjigje për fansat, ajo tregoi se gjatë kohës kur karriera e saj po përparonte me ritme të shpejta, filloi të ndjente pasiguri dhe presion të madh për t’u dukur perfekte. “Ishte emocionuese në fillim, por më pas u bë tepër e rëndë,” tha modelja, duke shtuar se vëmendja publike dhe fotografimet e fshehta në qendrat tregtare apo restorante i krijuan një ndjenjë të vazhdueshme shqetësimi.
Ajo ndau se shpesh krahasonte veten mes asaj që dukej në Instagram dhe realitetit, gjë që ndikoi në vetëbesimin e saj. “Fillova të pyesja nëse isha mjaftueshëm e bukur apo e vlefshme,” rrëfeu Oriola, duke theksuar se ky presion i imponuar nga standardet e rrjeteve sociale është i rrezikshëm dhe shpesh i larguar nga realiteti.
Me kalimin e kohës, modelja ka mësuar të pranojë dhe të vlerësojë veten ashtu siç është. Ajo shprehu rëndësinë e autenticitetit dhe dashurisë për veten, duke dhënë një mesazh fuqizues për ndjekësit: “Duaje veten për atë që je, jo për atë që të tjerët presin të jesh. Jeta është më e bukur kur përqafojmë autenticitetin tonë.”