Mon, Dec 23, 2024

Të shpëtojmë Shqipërinë nga mentaliteti i diktaturës së proletariatit

  • PublishedDecember 22, 2024

Në një nga rrugicat e vjetra në Tiranës, një parrullë mundet të lexohet zbehtasi edhe sot dhe që është trashëgimi thuajse e harruar e regjimit komunist. Parrulla, ma ha mendja është shkruar diku nga vitet ’80, thotë: Diktatura e proletariatit është e vërtetë.

Duket se është tregues i injorancës së kultivuar në shoqërinë shqiptare nga para dhe pas rënies së komunizmit, para dhe pas epokës së ndritur të Tik Tok-ut, që, një deklaratë e së dielës së kryeministrit nuk shkaktoi kurrfarë tronditjeje dhe u kalua si një gjë e rëndomtë. Deklarata e Ramës kishte të bënte me vendimin e shpallur prej tij të shtunën për të mbyllur Tik Tok. Argumenti i tij se pse ai duhej dhe mundej ta bënte një gjë të tillë ishte një një gjë të cilën ai e quajti konsultim dhe që, sugjerohet nga deklarata, përbën argument të mjaftueshëm ligjor e kushtetues për vendimmarrjen në fjalë. Rama tha se vendimi ishte bazuar në “1300 takime të organizuara në të gjithë territorin e vendit nga Ministria e Arsimit, ku morën pjesë 65.000 prindër, si edhe nga anketimi i bërë ku mbi 90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në platformën Tik Tok në Shqipëri”.

Në një deklaratë të dytë në Twitter, Rama u duk sikur iu përgjigj ankesave të kompanisë Tik Tok duke e përshkruar Shqipërinë si “vend demokratik”, ku supozohet, shumica vendos.

Kanë kaluar mbi tridhjetë vjet që nga koha kur dhunimi i shqiptarit nga shqiptari justifikohej me parrulla të tilla por duket se shpirti i parrullës vijon të qarkullojë si fantazmë në shoqërinë shqiptare, e cila, herë pas here shfaqet si e ngritur nga varri në gojën e politikanëve si puna e Ramës, të cilët përdorin opinionin e popullit si justifikim për vendimmarrje dhe jo, siç duhet të ndodhë, argumentet dhe ligjore.

Për këdo që e ka harruar, si dhe për ata që nuk e kanë mësuar kurrë, ka nevojë për një shpjegim: Diktatura e proletariatit ishte, sipas teorisë së Marksit, një fazë tranzitore nga rënia e kapitalizmit te themelimi i shoqërisë pa klasa. Gjatë kësaj faze, proletarët, të cilët supozohej se përbënin shumicën e shoqërisë, duhej të shtypnin rezistencën ndaj komunizmit nga radhët e “borgjezisë”. (Disa socialistë, si George Orwell apo patën aftësinë të parashihnin se diktatura e proletariatit ishte në fakt asgjë më shumë se një diktaturë e ish-proletarëve).

Dhe për këdo që nuk e ka mësuar në shkollë, dhe që me gjasa, nuk do ta mësojë dot as në Tik Tok, duhet të themi se sistemi në të cilin jetojmë, që konvencionalisht quhet demokraci liberale, pavarësisht se 90% të shoqërisë kanë një mendim të caktuar, dhjetë përqindëshi i mbetur ka të drejta. Me pak fjalë, edhe nëse marrim si të mirëqenë, (gjë që nuk është aspak e logjikshme ta bëjmë) se e z. Rama me të vërtetë ka kryer 1300 konsultime në harkun kohor të një muaji dhe ka pyetur 65 mijë “prindër”, dhe se anketimi për të cilin foli ai, është kryer sipas metodave më të gjithëpranuara të anketimeve, sërish mbetet fakti që ai 10 përqindësh i “prindërve” që, lihet të kuptohet, nuk janë dakord me mbylljen e Tik Tok, këta kanë të drejta. Dhe, në shtetin e demokracisë liberale, ndryshe nga diktatura e proletariatit, ky 90% që i është bashkuar mendimit të Ramës, të shprehur që para një muaji, se Tik Tok duhet të mbyllet, ka për detyrë, dhe normalisht duhet ta ndjejë për krenari që të respektojë dëshirat dhe mendimet e këtij 10 përqindësh të prindërve që nuk mendojnë se Tik Tok duhet të mbyllet. Shumica duhet ta ndjejë edhe më fort se është në nderin e saj që të respektojë, jo vetëm 10% të atyre që duan ta përdorin Tik Tok, por edhe, nëse shumica është 99%, 1 përqindëshin e mbetur. Dhe nderi i shumicës rritet, nëse respekton edhe individin e fundit që mendon ndryshe.

Pastaj problemi nuk qëndron vetëm te 10% që lihet të kuptohet se janë prindër dhe që supozohet se ndjejnë se kjo është mënyra më e mirë për të mbrojtur fëmijët nga Tik Tok. Problemi është te pjesa tjetër e popullsisë, përfshirë politikanët dhe aktivistët që e përdorin Tik Tok për çfarë t’u dojë qejfi. Prindërit e konsultuar, qofshin këta 90%, sipas llogarive të Ramës, sërish përbëjnë një pjesë minoritare të popullsisë dhe me gjasa, përbëjnë një pjesë fare të vogël edhe të atyre që janë në Shqipëri sot prindër dhe që, për një arsye apo një tjetër, nuk janë konsultuar ose kanë gjykuar se pjesëmarrja në konsultimet e Ministrisë së Arsimit është një humbje kohe. D.m.th, edhe në shtetin e diktaturës së proletariatit, 90 përqindëshi i 65 mijë prindërve nuk do të ishte shumica e popullit (sipas llogarive të fundit trupa politike shqiptare përbëhet nga 2.4 milionë vetë, nga të cilët, 1.91 milionë janë maxhorenë) por një minorancë e minorancës.

Pastaj, për sa i përket demokracisë liberale, edhe nëse injorojmë faktin që thelbi i demokracisë është respektimi i minorancës nga (gjë që nuk është e arsyeshme hiçfare ta injorojmë), sërish mbetet problemi i formës dhe i procedurave, të cilat janë po aq të rëndësishme se sa edhe rezultati. Me pak fjalë, nuk vlen që 90% e të konsultuarve kanë shprehur këtë qëndrim, në rast se këta nuk kanë pasur mundësinë dhe mjetet për të bërë një zgjedhje të informuar.

Ky është një nga kriteret e Dokumentit të Kopenhagës, i cili vendosi themelet e demokracisë në Evropën Lindore në vitin 1990. Pra, para se 90% të shprehet në konsultime apo në anketim, duhet që këta të kenë mundësinë të dëgjojnë ose të lexojnë mendime të larmishme mbi temën mbi të cilën duhet të gjykojnë.

Nëse kryeministri mendon se Tik Tok duhet të mbyllet, dhe këtë qëndrim e ka shprehur më 20 nëntor, atëherë prindërit dhe popullsia më e gjerë, duhet të kenë mundësinë të dëgjojnë dikë tjetër, ose shumë të tjerë të cilët, ndryshe nga kryeministri, kanë opinionin se Tik Tok nuk duhet të mbyllet, ose duhet të kufizohet pa u mbyllur ose që problemi i Tik Tok, i mediave të tjera sociale, i mediave konvencionale të korruptuara apo i propagandës politike apo i dhunimit përmes reklamave komerciale mund të zgjidhet, jo me mbyllje të Tik Tok, jo pa bërë asgjë por përmes edukimit, të fëmijëve dhe të të rriturve, të prindërve dhe joprindërve, mbi një gamë të gjerë problemesh të shoqërisë në kohën në të cilën jetojmë. Pra, nëse nuk ka një debat ku i gjithë spektri i opinionit, nga më ekstremi i njërit krah në ekstremin e krahut tjetër janë dëgjuar në mënyrë të mjaftueshme, përmes mjeteve të informimit publik, ky opinioni i 90 përqindëshit nuk vlen, sepse është opinion i të painformuarve, është opinioni i turmës.

Ky dëgjim dhe lexim i opinioneve të larmishme mbi një temë duhet të kryhet përmes medias së pavarur dhe të paanshme, e cila, sot për sot në Shqipëri, për shkak të kontributit shumëvjeçar të Ramës në korruptimin e saj përmes koncesioneve, tenderëve, lejeve e licencave, thjeshtë nuk ekziston.

Nejse!

Autori i këtyre radhëve nuk është përdorues i Tik Tok dhe personalisht mendon se bota nuk do të humbiste asgjë në rast se Tik Tok nuk do të ekzistonte. Por kjo nuk vlen për shkak se Tik Tok ka të drejta dhe përdoruesit e kësaj platforme kanë gjithashtu të drejta, pavarësisht se sa gabim mund ta kenë nga pikëpamja e njërit apo tjetrit. Dhe për më tepër, autori i këtyre radhëve është njohur për ekzistencën e Tik Tok nga një fenomen që quhet , një shkrimtare amerikane, autore e një dyzine me libra për të rinj të rritur, pra për , e cila e gjeti audiencën e saj në mbarë rruzullin, përfshirë edhe Shqipërinë, në rrjetin social Tik Tok. Ajo ka shitur së paku 20 milionë kopje duke arritur një gjeneratë të re lexuesish pikërisht në këtë platformën fort të urryeshme, Tik Tok. Fenomeni i krijuar prej saj tashmë njihet si Book Tok. A është e arsyeshme që, në bazë të opinionit të këtij 90% të turmës së kryeministrit, të mbyllim aksesin e Colleen Hoover në këtë media sociale? Botueses së kësaj autoreje në shqip nuk i ka ecur aspak keq dhe cënimi i të drejtave të saj do të ishte, jo vetëm i paligjshëm dhe antikushtetues, por do të ishte krejtësisht e paarsyeshme.

Mbyllja e aksesit në një media të caktuar me shumë gjasa është ekuivalenti modern i djegies së librave në kohën e Nazizmit apo ndalimit të tyre në kohën e komunizmit. Në të dyja rastet, jo vetëm që nuk është zgjidhe por, është zgjidhja e gabuar. Edhe sikur 100% e popullsisë të çmendet pas një ideje, bllokimet, ndalimet, djegiet janë jozgjidhje. Nëse Rama ka merakun e “gangsterit të lagjes”, mbyllja e Tik Tok nuk do ta eliminojë problemin, thjeshtë do ta detyrojë “gangsterin e lagjes” dhe ndjekësit e tij të transferohen nga një platformë si Tik Tok, në një tjetër.

Zgjidhja e problemeve të bullizmit apo të vulgut apo të ndërgjegjësimit të fëmijëve të të gjitha moshave për telashet që na hapin , reklamat abuzive apo mashtruese, dizinformimi, media e keqe apo letërsia vetëmasturbuese, në kuptimin figurativ të fjalës, e llojit si të bëhem milioner dhe si të gjej dashnor me lekë, këto nuk zgjidhen me ndalim, as me bllokim dhe as me djegie librash.

Në fund, ky i gjithi mund të jetë një diskutim i kotë. Në një deklaratë të dielën, Rama tha mes të tjerash se: “Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikToku”. Përdorimi i ndajfoljes ose sugjeron se deklarata e tij se Shqipëria do të nuk është kaq e prerë dhe se ai ka në plan ta harrojë çështjen njësoj siç ka harruar tashmë krijimin e minishtetit vatikan bektashi në mes të Tiranës, të cilën e hodhi me shumë bujë në shtatorin e kaluar për ta lënë në harresë pas ditës së tretë.