Mon, Dec 23, 2024

Art në qiellin e Tiranës, fondacioni “Dritëro Agollli” sjell aktivitetin kuluror ‘Sunlights’

  • PublishedDecember 23, 2024

Tirana përjetoi një spektakël për net me radhë kur Fondacioni Kulturor “Dritëro Agolli” organizoi për herë të parë aktivitetin “Sunlights” – Historia e Dritës. Një ndërthurje mes artit, teknologjisë dhe krijimtarisë, ky event shndërroi Parkun “Rinia” në një qendër të gjallë artistike, ku Drita, qoftë ajo natyrale, artificiale, apo dhe drita brenda shpirtit,  ishte protagoniste absolute.

Një festë për dritën dhe krijimtarisë

Me një program të pasur që zgjati për tre ditë, Sunlights” mblodhi artistë, profesorë, fëmijë dhe të rritur nga të gjitha moshat, duke i dhënë kryeqytetit një energji të re dhe të freskët. Aktiviteti, i mbështetur nga Bashkia e Tiranës dhe realizuar nën përkujdesjen artistike të Muse-X, u shqua si një platformë e shkëlqyer për të prezantuar mënyrat e ndryshme se si drita ndikon në art, arkitekturë, teknologji por edhe tek ndërgjegjja njerëzore.

Luel Muhametaj, përfaqësues i Fondacionit Kulturor “Dritëro Agolli” e përshkroi “Sunlights” si një udhëtim shpirtëror dhe artistik. “Drita nuk është vetëm një fenomen fizik, por një gjuhë universale që ndriçon mendjet dhe zemrat njerëzore”, – tha ai, duke theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti si një platformë për të frymëzuar dhe edukuar.

Ky event nuk ishte vetëm një celebrim i artit dhe teknologjisë, por edhe një reflektim mbi mënyrën se si drita na lidh me natyrën, historinë, madje dhe njerëzit me njëri-tjetrin.“Sunlights” u bë një shembull frymëzues i potencialit të artit për të ndriçuar jo vetëm hapësirat, por edhe mendjet. Tirana shkëlqeu me spektaklin e Dritave duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e të gjithë atyre që morën pjesë.

Pjesa magjike e mbrëmjeve ishte shfaqja e ndriçimit e realizuar nga mjeshtri Florian Çanga. Qielli i Tiranës u kthye në një skenë magjike, ku kombinimi i dritave, arkitekturës dhe teknologjisë krijoi një simfoni të vërtetë arti.

Leksione inspiruese nga profesorët e arkitekturës

Një nga pikat e veçanta të eventit ishin leksionet e hapura nga profesorët dhe arkitektët e njohur Ledion Bregasi dhe Klodian Xhexhi, të Universitetit “Polis”. Prof. Bregasi ndau me publikun mënyrën se si drita është përdorur në disa nga veprat më ikonike të arkitekturës botërore, duke përfshirë Stonehenge dhe Panteonin në Romë: “Stonehenge nuk është thjesht një monument, por një simbol i përpjekjes së njeriut për të kontrolluar qiellin dhe diellin.” Plot kuriozitet u dëgjua dhe Prof. Xhexhi i cili ofroi një pikëpamje tjetër mbi rolin e dritës në arkitekturën bashkëkohore, duke përmendur projekte që sfidojnë kufijtë e dizajnit tradicional dhe eksplorojnë potencialin e ndriçimit artificial: “Drita nuk është vetëm një element funksional, por një komponent themelor që ndërton eksperiencën estetike të hapësirës” .

Energjia e të rinjve dhe kreativiteti i fëmijëve

Një pjesë e rëndësishme e eventit u dedikua fëmijëve dhe të rinjve, duke i inkurajuar ata të eksplorojnë botën e artit dhe dritës përmes aktiviteteve krijuese. Nxënësit e “Klea Huta Academy” interpretuan poezi nga Dritëro Agolli dhe performuan këngë me zërin e tyre të mrekullueshëm. Fëmijët patën mundësinë po ashtu të eksperimentonin me vizatimin, duke krijuar peizazhe dhe portrete që shfrytëzonin lojën e ndriçimit. Ky kënd u shndërrua në një hapësirë argëtimi dhe edukimi. Muzika nga DJ profesionistë u shkri me lojën e dritave, teksa shfaqja e baletit kontemporan nga balerinët e Shkollës së Baletit ishte një tjetër moment sinergjie arti, ku drita nuk ishte vetëm element dekorativ, por skenografia për balerinët, duke përforcuar çdo lëvizje dhe emocion, dhe duke i dhënë imazh çdo tingulli. Muzika dhe koreografia ishin në harmoni të plotë me arkitekturën e dritës, duke krijuar një përvojë të thellë dhe mbresëlënëse për publikun.