Mon, Dec 23, 2024

Çështja e sterilizimit/ Përfundon seanca në GJKKO për Ilir Beqajn, togat e zeza kërkojnë rikualifikim të akuzës për ish-Ministrin

  • PublishedDecember 23, 2024

Ka përfunduar seanca e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn, lidhur me dosjen e Sterilizimit.

Togat e zeza kanë kërkuar rikualifikim të akuzës për ish-ministrin e Shëndetësisë, i cili është nën hetim për “shpërdorim detyre. GJKKO ka kërkuar që Ilir Beqaj të akuzohet për vjedhje dhe shpërdorim detyre.

Gjithashtu është kërkuar rikualifikim i akuzës edhe për biznesmenin Ilir Rrapaj, si edhe ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj.

Akuzat e SPAK

SPAK e akuzon Ilir Beqaj për shpërdorim detyre për lidhur me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, kontrata koncesionare 10-vjeçare afro 100 milionë dollarëshe, e cila u firmos në dhjetor 2015 dhe ende vijon.

Ish-ministri i Shëndetësisë do të hetohet për “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim” në procedurat e koncesionit nën masën e sigurisë “detyrim me paraqitje” dhe “ndalim të udhëtimit jashtë”. Ndërsa u vendos në pranga lidhur me abuzimet në SASPAC, gjatë kohës që ai ishte në krye të saj.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme bën me dije se ishministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro. Kështu, sipas hetimeve të zhvilluara deri në këtë fazë, ish-ministri akuzohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.

Krahas masës së sigurisë, ndaj ishministrit është caktuar dhe masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Sipas SPAK, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duhet të anulonte kontratën koncesionare të sterilizimit, pasi kompania fituese dha një ofertë më të lartë se sa vlera e përcaktuar nga autoriteti kontraktor.

Ai nuk mori asnjë masë për vënien në punë të qendrës së sterilizimit, çka do të ishte më e favorshme ekonomikisht, por kaloi direkt të procedura e dhënies me koncesion të shërbimit për sterilizimin e pajisjeve mjekësore. Nuk parandaloi konfliktin e interesit mes biznesmenit Ilir Rrapaj dhe ish- zv.ministrit Klodian Rjepaj, si dhe kreu veprime që favorizuan kompaninë fituese.

Në dosjen penale ndër të tjera arsyetohet se Ilir Beqaj, ndonëse ishte në dijeni të qendrës moderne të sterilizimit, të ngritur në QSUT, nuk mori asnjë masë për vënien e saj në funksion. Ai nuk bëri asnjë studim paraprak, për të vlerësuar nëse vënia në funksion e qendrës së sterilizimit do të ishte më e favorshme ekonomikisht.

Gjithasut analizohen edhe udhëtimet që Ilir Beqaj ka bërë me biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili zotëron 40 për qind të kontratës koncesionare dhe që aktualisht ndodhet në burg për të njëjtën çështje.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Në datë 13.01.2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale  të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vazhdim të hetimeve për këtë procedim penal, me kërkesën të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.119 akti datë 16.11.2023 ka vendosur si më poshtë vijon:

  • Caktimin ndaj personit nën hetim I.B. me detyrë ish-Ministër i Shëndetësisë, të masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në Policisë gjyqësore” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 234 dhe 233 të K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
  • Urdhërohet personin nën hetim I. B. që të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.
  • Urdhërohet personin nën hetim I.B. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
  • Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim I.B..

Vendimi për caktimin e masës së sigurimit personal është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (në datën 17.11.2023).

Hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.