Mosbindja civile e opozitës/ Berisha fton qytetarët: Sot është ditë revolte, bashkohuni në marshim!
Kryetari i Partisë Demorkatike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim pak orë para protestës që do të zhvillohet sot në rrugët e kryeqytetit në orën 17:00.
Teksa ftoi të gjithë qytetarët që ti bashkohen në marshim, Berisha e cilësoi ditën e sotme si një ditë revolte, të mosbindjes civile të PD-së dhe opozitës, në emër të mbi 1.1 milion shqiptarëve që u larguan nga regjimi i Ramës për shkak të varfërisë dhe privimit të lirive.
Kryedemokrati gjithashtu u shpreh se protesta sot zhvillohet edhe në shenjën e sakrificës që demokratët janë të vendosur të bëjnë në emër të shqiptarëve në këto prag festash.
Berisha: Sot është dita e një revolte, e mosbindjes civile, të PD-së dhe opozitës, në emër të mbi 1.1 milion shqiptarëve që u larguan nga Shqipëria nga ky regjim për shkak të varfërisë dhe privimit të lirive.
Është revolta në emër të 800 mijë pensionistëve, që u trajtuan nga kjo qeveri në mënyrën më çnjerëzore.
Pensionistët e Shqipërisë sot marrin një pension të barabartë me 1 qen shtëpie në Gjermani, që paguhet 130 euro.
Është protesta në emër të qindra mijëra të rinjve, të cilët kanë si alternativë të vetme largimin nga Shqipëria.
Është protesta në emër të qindra mijëra fermerëve, të cilët janë fermerët më të diskriminuar të Europës, më të pambështetur, për të cilët në buxhetin e shtetit, ndonëse japin 20 përqind të prodhimit të brendshëm, ndonëse përbëjnë rreth 40 përqind të popullatës, janë parashikuar gjithsej 44 milionë euro.
Është revolta e mbarë shqiptarëve që duan të jetojnë në Shqipëri.
Që duan të ndërtojnë jetën, mirëqenien dhe të ardhmen në këtë vend ku plaçkiten nga një grup hajdutësh që nuk i kanë pasur kurrë në historinë e vendit.
Kjo protestë, kjo revoltë zhvillohet edhe në shenjën e sakrificës që demokratët janë të vendosur të bëjnë në emër të shqiptarëve në këto prag festash.
Ndaj ftoj qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë sot në ora 5, marshim në Tiranë, Tirana në duart e qytetarëve.