Shkeljet e ligjit nga Vangjush Dako, BIRN: Akuzat provohen edhe nga pamjet e marra në Google Maps dhe Google Earth
Të emëruar nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako të përllogarisnin kostot për të bërë projektin e zbatimit të një shëtitoreje bregdetare nga zona e Bërrylit deri në Currila, 3 anëtarët e komisionit të vlerësimit u mblodhën me 11 shtator 2013 në qytetin bregdetar.
Projekti i zbatimit të shëtitores, i pagëzuar për të tingëlluar me gjasë më tërheqës si “Promenada Bregdetare dhe Plazhi publik nga Bërryli deri në Currila”, do bëhej për një sipërfaqe prej 2.04 hektarë.
Procesverbalet e mbajtura në mbledhje kanë të shënuar se komisioni mori për krahasim dy projekte të ngjashme. I pari e nxirrte vlerën e shëtitores në total 180.8 milionë lekë; ndersa i dyti, i cili i referohej punimeve të ngjashme në “Bulevardin Dyrrah”, kapte vlerën 337 milionë lekë.
Deri në këtë pikë llogaritë kanë funksionuar. Por kur grupit i duhej të përcaktonte vlerën e “projektit të zbatimit” që i takon të ishte sa 1.2 për qind e shumës totale të punimeve, Prokuroria e Posaçme thotë në fund të shifrave gjatë llogaritjes së për qindjes u shtua një zero. Kostoja e punës u rrit 10 herë.
“Vlera e tarifës së projektimit del 2,2 milionë lekë dhe jo 22 milionë lekë, pra është llogaritur më tepër”, shkruan SPAK në vendimin e Gjykatës së Posaçme që caktoi masën e sigurimit për ish-kryebashkiakun Dako dhe 3 anëtarët e komisionit.
Shpërdorimi i këtyre fondeve publike solli të martën arrestimin e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako, i cili prej 4 vjetësh është shpallur person i padëshirueshëm nga SHBA për “përfshirje në korrupsion madhor”.
Bashkë me Dakon me masë sigurie në burg, për zeron e shtuar në llogaritje, janë dhe anëtarët e komisionit Adhurim Qehajaj, me detyrë ish-Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit dhe Planifikimit të Territorit të Bashkisë Durrës dhe të Adnand Toçila. Anëtarja tjetër e komisionit Diana Dedja u la me masë sigurimi arresti në shtëpi.
Dako dhe Qehajaj, u ngarkuan me një akuzë të dytë për shpërdorim detyre, në një aferë që përfshin dheniën e një leje ndërtimi të parregullt, që siç shprehet gjykata në masën e sigurimit, solli për pasojë “rrezikimin e jetës së banorëve” të një pallati 11 katësh në Durrës gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019. SPAK shkruan se shkelja në këtë rast ishte e dukshme edhe nga pamjet në satelitore të aplikacionit ‘Google Earth’.
Sipas prokurorisë pallati u pajis me një shtesë leje ndërtimi pasi punimet kishin përfunduar në mënyrë të paligjshme. Përveç Dakos dhe Qehajaj, për këtë aferë u caktua masë arresti me burg edhe ndaj ndërtuesit Fiqiri Farruku, arkitektit Ermal Lama, inxhinierit topograf Fatmir Ejupi, inxhinerit Gjeoded-Topograf Adrian Bulku. Ndërsa u caktua masë arresti shtëpiak për arkitekten Meri Selimi (Priftuli) dhe kolauduesen e pallatit Ferzilet Hajdëri.
Edhe pse janë nisur nga kallëzime të ndryshme të dy procedimet penale u bënë bashkë pasi përfshijnë në të dy rastet ish-kryebashkiakun Vangjush Dako.
SPAK njoftoi të mërkurën se masat e sigurimit me burg ndaj Adhurim Qehajajt, Ermal Lamës dhe Fatmir Ejupit ishin ende në proces ekzekutimi. E pa ekzekutuar ishte edhe masa e arrestit shtëpiak ndaj Diana Dedjas.
Nisur nga mosekzekutimi i të gjithë urdhër arresteve dhe fakti që planet për arrestimin e Dakos u publikuan ditë më parë në media, Prokuroria e Posaçme njoftoi se paralelisht ishte nisur një hetim të brendshëm për nxjerrje të sekretit hetimor.
Avokati i Dakos, Petrit Ismaili e cilësoi të tepruar masën e sigurimit arrest me burg dhe kundërshtoi akuzën duke pretenduar se vendimet ishin kolegjiale.
Shumëzimi me 10 dhe këmbëngulja në gabim
Hetimet e prokurorisë për tenderin për “projekt zbatimin” e promenadës nisën 7 vjet pas mbledhjes së komisionit të vlerësimit që shumëzoi me 10 kostot e punës.
Prokuroria thotë se dyshimet për shpërdorim të parave publike në këtë tender iu bënë prezent SPAK në vitin 2020, pas kallëzimit të ish-rivalit të Dakos për postin e kryebashkiakut në garën e vitit 2011 – deputetit të Partisë Demokratike Ferdinad Xhaferraj.
Prokuroria thotë se tenderi, që u fitua nga kompania SPHAERA me vetëm 12 mijë lekë më pak se fondi i limit i garës, ka sjellë një dëm prej 18.3 milionë lekësh në buxhetin e bashkisë dhe se Dako vetë ka qenë në dijeni të procedurës dhe gabimit.
Gabimi u zbulua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në qershor 2015. Deri në këtë moment bashkia i kishte paguar kompanisë 60 për qind të shumës për të cilën ishte lidhur kontrata sipas KLSH-së ishte disa herë më shumë se vlera reale e punës që po bëhej.
KLSH ia referoi këtë bashkisë dhe siç pretendon prokuroria, Diana Dedja, një prej anëtarëve të komisionit pretendoi se ishte bërë gabim material në llogaritje. Dedja mbajti këtë qëndrim edhe kur u pyet si person në dijeni të rrethanave nga SPAK. KLSH rekomandoi në qershor 2015, zgjidhje të situatës së paligjshmërisë dhe kthimit të shumës të paguar tepër në bashki.
Por 7 muaj pas këtij kontrolli, me marrjen në dorëzim të projektit, Bashkia e Durrësit procedoi që t’i paguante kompanisë 8.3 milionë lekë të tjera, siç ishte parashikuar në kontratën e bërë mbi shumën e fryrë. Në vetvete kjo pagesë e dytë ishte gati 4 herë më shumë se sa kostot reale të projektit.
SPAK shkruan se kjo pagesë e përjashton mundësinë e gabimit material nga bashka Durrës.
“Pasi janë vënë në dijeni për shkeljet ligjore të evidentuara nga ky institucionin nëpërmjet raportit të muajit Qershor 2015, në muajin Dhjetor të vitit 2015, pra gati gjashtë muaj më pas, kanë ndihmuar me veprimet e tyre ardhjen e mëtejshme të pasojave dhe thellimin e dëmit ekonomik”, shkruhet në vendimin e masës së sigurisë.
Prokuroria thekson se Vangjush Dako ishte në dijeni të gazbimit dhe pjesë e konsultave për caktimin e çmimit të fryrë. Kryebashkiaku ishte pjesë e korrespondecës ku u vendos që çmimi tavan për projektin të ishte 21 milionë lekë – rreth 10 herë më shumë se vlera reale.
Për të provuar përfshirjen e Dakos, prokuroria po ashtu përmend raportin e KLSH-së dhe vërejtjet në këtë raport. Prokuroria shton se kryebashkiaku autorizoi një padi ndaj kompanisë për të marrë pas shumën prej 18.3 milion lekësh, pasi pagesat ishin kryer plotësisht. Por padia e ngritur nga avokati i bashkisë u pushua, pasi vetë paditësi nuk u paraqit në gjyq.
Për prokurorinë kjo është provë e një pasiviteti të qëllimshëm.
“Provohet edhe fakti i qëndrimit pasiv të tyre me dashje, se nuk kanë marrë asnjë masë ligjore për rikuperimin e dëmit, ndonëse shkeljet ligjore i janë vënë në dijeni”, shkruhet në vendimin e gjykatës.
Shkelje që duken nga Google Earth
Tërmeti i 26 nëntorit i vitit 2019 shkaktoi 51 viktima, detyroi shpërnguljen e 17 mijë personave dhe rreth 1 miliard euro në dëme. Ai gjithashtu nxori në dritë aferën tjetër që çoi pas hekurave ish-kryebashkiakun e Durrësit.
SPAK shprehet se hetimet për këtë rast të dytë, ku përvec Dakos akuzohen dhe 7 persona të tjerë, u nisën pas kallëzimit të banorëve të një pallati 11-katësh në rrugën Hysen Myshketa. Pallati ishte një ndër godinat që pësuan dëme strukturore të mëdha nga tërmeti dhe është sot ende i pabanueshëm.
Hetimet e prokurorisë gjetën se puna për ndërtimin e pallatit nga ndërtuesi Fiqiri Farruku, filloi në vitin 2010. Atëherë Farruku u pajis me një leje për një godinë 7-katëshe. Meqë ndërtimi ishte vetëm në këtë lartësi, ndërtuesit nuk iu kërkua një studim sizmiologjik.
Por pak kohë pasi kishte marrë lejen e ndërtimit, Farruku aplikoi në bashki për një kat shtesë. Prokruroia thotë se ky aplikim u bë në 20 dhjetor 2010. Farruku duket se ka ndërruar mendje dy ditë më vonë dhe i ka kërkuar bashkisë një leje të re që përfshinte tani 3 kate shtesë, plus një papafingo. Dako është njohur me kërkesat dhe ja ka kaluar zyrës së urbanistikës në bashkinë Durrës.
Por ndërsa procedurat për leje ndërtimi nuk kishin përfunduar dhe as ishin miratuar, punimet për pallatin filluan në pranverë të vitit 2011. Në 26 shtator të atij viti u hodh edhe soleta e katit të 11 të godinës. Prokuroria thotë se fakti që godina kishte përfunduar në vitin 2011 provohet nga pamjet e marra në Google Maps dhe Google Earth dhe orto foto të zonës. Sipas Prokuorisë së Posaçme këto punime u kryen pa leje.
Inspektorati i Ndërtimit i Bashkisë Durrës e kishte konstatuar faktin që pallati ishte ndërtuar pa leje. Në prill 2011, ai i vendoi një gjobë kompanisë së Farrukut dhe i kërkoi pezullim të punimeve, por punimet nuk ndaluan.
Përkundrazi prokuroria thotë se dy ditë pasi është konstatuar përfundimi i skeletit të betonit të pallatit dhe ishte hedhur soleta e katit të fundit, KRrT-ja e drejtuar nga Dako i miratoi atij lejen e re. Prokuroria thekson se për këtë vendim nuk ishte marrë mendim nga këshilli teknik dhe nulk ishte kërkuar studimi sizmiologjik, që ishte i detyrueshëm për ndërtimet mbi 7 kate.
Prokuroria thotë se ish-kryebashkiaku ishte në dijeni të problemeve. Madje edhe pse i kishte firmosur lejen shtesë, muaj më vonë ai vetë firmosi një urdhër jashtë kompetencave të tij, që autorizonte policinë bashkiake të pezullonte punimet.
Shkeljet sipas prokurorisë nuk përfundojnë me këtë fakt. Për të zbardhur lejen dhe për të lejuar shfrytëzimin e godinës, u përpiluan një sërë aktesh të falsifikuara që nuk merrnin parasysh gjendjen reale. Prokruroria shpehet se kishte provuar që godina kishte filluar të banohej që në vitin 2012, por në fakt leja e ndërtimit për të u zbardh vetëm në vitin 2014.
Gjithashtu, inxhinierët dhe arkitektët e përfshirë në këtë rast firmosën akte që nuk përputheshin me situatën faktike dhe që u bënë pasi pallati ishte ndërtuar edhe pse i referohen kohës kur ai ishte në ndërtim.
Ndërsa kolaudimi i pallatit u bë edhe pse një sërë punimesh nuk përputheshin as me lejen e re. Përfshi ndryshimit të destinacionit të garazheve apo mënyrës së ndërtimit të kafazit të ashensorit. Në kërkesën për masë sigurimi prokuroria citon se Ferizlet Hajdëri, inxhinierja që ka kryer kolaudimin e godinës, ka pranuar se nuk kishte bërë “kontroll të plotë të objektit”.
Prokuroria gjeti se dy persona që duhej të kryenin supervizimin ishin pa licensë dhe në atë kohë kishin qenë 79 dhe 80 vjeç.
Masat dhe akuzat
Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako dhe ndihmësi i tij që drejtoi urbanistikën e bashkisë në këtë kohë, Adhurim Qehajaj kanë dy akuza për shpërdorim detyre. Dy anëtarët e tjerë të komisionit të vlerësimit për projektin kanë vetëm një akuzë të shpërdorimit të detyrës.
Edhe kolauduesja Ferizlet Hajdëri, akuzohet po për shpërdorim të detyrës, sa i përket kolaudimit të pallatit.
Ndërkohë, ndërtuesi Farruku dhe grupi i inxhinerëve e topografëve Ermal Lama, Fatmir Ejupi, Adrian Bulku dhe Meri Selimi (Priftuli), akuzohen se në bashkëpunim mundësuan legalizimin e pallatit me 4 kate pa leje. Ata janë akuzë zyrtare të “Fallsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” në bashkëpunim.
Avokati i Dakos, Petrit Ismaili në një deklaratë për mediat pretendoi se akuzat nuk qëndronin. Ai tha se vendimet për të dy rastet kishin qenë kolegjiale dhe se masa e sigurisë me burg ishte e tepruar dhe e ndikuar nga presioni mediatik.
“SPAK nuk po mban dot ekuilibër nën trysninë mediatike, të politikës dhe të ndërkombëtarëve,” deklaroi Ismaili, ndërsa shtoti se gjykata në këtë trysni po merr masa të nxituara. “Gjykoj se nuk ka qenë e nevojshme masa e arrestit me burg”, shtoi ai.
Gjyqtari Erjon Bani, i cili miratoi kërkesën e prokurorisë vlerëson ndryshe. Bani shkruan në arsyetimin e masës së sigurisë se “pasojat që kanë ardhur në rastin konkret, që është rrezikimi i jetës së banorëve, të cilët kanë jetuar në objektin që është legalizuar me leje ndërtimi dy vite pasi ai është ndërtuar”, ishin të tilla që e justifikonin masën e arrestit.
Ai shprehet se “kjo shton rrezikshmërinë e faktit dhe të autorëve në rastin konkret”.
Gjyqtari po ashtu shprehet se vepra penale është kryer në rrethana rënduese, pasi është kryer “duke shpërdoruar funksionin publik” dhe në “bashkëpunim”.
Ai po ashtu tërheq vëmendjen se personat e arrestuar përfshi Dakon, kishin pushtet, lidhje me pushtetin dhe pasuri që u krijonte atyre mundësinë të ndërhynin te provat dhe dëshmitarët, jo vetëm gjatë hetimit por edhe në procesin e gjykimit të çështjes.
“Ka dyshime se mund të ndikojë tek provat, duke marrë në konsideratë jo vetëm pozicionin zyrtar që ai ka patur, por dhe influencën e tij tek administrata e shkuar dhe aktuale e Bashkisë Durrës,” shkuan gjyqtari i Gjyaktës së Posaçme./BIRN
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–