Ulja me 1 lekë e çmimit të energjisë elektrike, reagon Bardhi: Tallje me shqiptarët! Në 10 vite u rrit energjia që Balluku të kishte të ardhura për të vjedhur tendera!
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka reaguar lidhur me uljen 1 lekë të çmimit të energjisë elektrike, nga 9.5 lekë në 8.5 lekë për ata që harxhojnë më pak se 700 kilovat në muaj.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Bardhi e ka cilësuar këtë ulje çmimi si tallje me shqiptarët, teksa shtoi se e gjitha është një lëvizje me qëllim mashtrimin elektoral.
Po kështu, Bardhi tha se në 10 vite është rritur çmimi i energjisë elektrike, nga 7.4 lekë në 9.5 lekë, në mënyrë që Belinda Balluku të ketë më shumë të ardhura për të vjedhur në tendera.
“Ishte Edi Rama që rriti për 10 vjet çmimin e energjisë nga 7.4 lekë në 9.5 lekë, që Belinda Balluku të kishte më shumë të ardhura për të vjedhur me tendera dhe duke shitur më lirë e blerë më shtrenjtë energji jashtë Bursës së Energjisë, ndërkohë që sot thotë se është ditë historike që do bëjmë sikur ulim çmimin me 1 lek vetëm për 10 muaj sa të kalojmë zgjedhjet!”, shkruan Bardhi.
Demokrati u shpreh se ulja e çmimit të energjisë elektrike nuk duhet të jetë një masë e përkohshme për shkak të zgjedhjeve të 11 majit 20285, por duhet të jetë një masë e përhershme, sidomos për familjet në nevojë dhe ato të shtresës së mesme.
“Ulja e çmimit të energjisë nuk duhet të jetë masë vetëm për 10 muaj, apo masë për mashtrim elektoral, por një masë e përhershme veçanërisht për familjet në nevojë apo me të ardhura mesatare.”, shkruan ai.
Postimi i plotë:
Edi Rama vazhdon të tallet me shqiptarët. Pasi e rriti çmimin e enrgjisë me 30 përqind, duke patur çmimin më të lartë në Rajon, sot quan historike që e ul me 1 lek për kilovat, por ndërkohë mbetemi përsëri vendi me çmimin më të lartë të energjisë se Kosova, Mali i Zi apo Bosnje Hercegovina!
Edi Rama mendon se qytetarët shqiptarë ushqehen 1 herë në çdo 4 vjet, paguajnë për energjinë elektrike 1 herë në çdo 4 vjet, apo marrin ilaçe 1 herë në çdo 4 vjet. Prandaj sa herë që ka zgjedhje bën sikur ul për qëllime mashtrimi elektoral atë që në fakt ka rritur po vetë sa herë përfundojnë zgjedhjet.
Ishte Edi Rama që rriti për 10 vjet çmimin e energjisë nga 7.4 lekë në 9.5 lekë, që Belinda Balluku të kishte më shumë të ardhura për të vjedhur me tendera dhe duke shitur më lirë e blerë më shtrenjtë energji jashtë Bursës së Energjisë, ndërkohë që sot thotë se është ditë historike që do bëjmë sikur ulim çmimin me 1 lek vetëm për 10 muaj sa të kalojmë zgjedhjet!
Ulja e çmimit të energjisë nuk duhet të jetë masë vetëm për 10 muaj, apo masë për mashtrim elektoral, por një masë e përhershme veçanërisht për familjet në nevojë apo me të ardhura mesatare. Sot shqiptarët për shkak të abuzimeve të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në sektorin e energjisë paguajnë cmimin më të shtrenjtë të energjisë krahasuar me vendet që blejnë energji nga Shqipëria. Për ilustrim në Kosovë çmimi mesatar i energjisë për konsumatorët familjar është 7 lekë për kilovat.
Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se Edi Ramës nuk i intereson as varfëria dhe as mirëqenia e qytetarëve. Edi Ramës i intereson vetëm pasurimi dhe mirëqenia e vetes, Belindës dhe një grushti të vogël oborrtarësh të tij.