Fri, Jan 10, 2025

Grabitën karburantin në vitin 2021 dhe sulmuan një person me grushte, merr fund arratia për dy vëllezërit

  • PublishedJanuary 9, 2025

Dy vëllezër nga Kruja janë arrestuar nga uniformat blu pasi ishin të shpallur në kërkim për disa vepra penale.

Në pranga kanë rënë të rinjtë A.Ç., 27 vjeç dhe G.Ç., 27 vjeç.

Në vitin 2021, dy vëllezërit bashkëpunuan në grabitjen e një pike karburanti në fshatin Arramerras. Për këtë ngjarje, 21 vjeçari është dënuar nga Gjykata e Apelit me 3 vite e 4 muaj burg, pasi akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Sakaq, me datë 7 prill 2024, vëllezërit kanë goditur me grushte shtetasin S.D., dhe më pas kanë qëlluar në ajër me armë zjarri, ngjarje kjo e ndodhur për motive të dobëta.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

NJOFTIM

Krujë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”, për kapjen e 2 shtetasve (vëllezërve) në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Njëri prej tyre, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, si bashkëpunëtor në vjedhjen me armë, të një shume parash, në një karburant, në fshatin Arramerras, në vitin 2021.

2 vëllezërit, në muajin prill 2024, dyshohet se kanë goditur me grushte një shtetas dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri, në ajër.

Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në inteligjencën informative, ka organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Brothers”, si rezultat i të cilit janë kapur dhe ndaluar shtetasit në kërkim: A. Ç., 21 vjeç dhe G. Ç., 27 vjeç (vëllezër), të dy banues në Krujë.

Shtetasin A. Ç., Gjykata e Apelit e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si bashkëpunëtor në vjedhjen me armë, të një shume parash, në një karburant, në fshatin Arramerras, në vitin 2021.

Gjithashtu, dyshohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasi G. Ç., më datë 07.04.2024, kanë goditur me grushte shtetasin S. D. dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri, në ajër, për motive të dobëta.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.