Egnatia, trajneri Tetova: Sfidë delikate ndaj Laçit, por kam besim te grupi
Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova doli në konferencë para ndeshjes ndaj Laçit në kampionat.
“Mbas pushimit, kampionati rikthehet shpejt. Këto pushime ishin pak për ne, pasi kur ekipet e tjera ishin pushim ne vijuam me përgatitjet për finalen e Superkupës (e fituar kundër Kukësit 2-0). Kampionati për ne është për t’u luajtur dhe pushimet i shohim më pas.
Jeni kampion i trefishtë, si ndiheni? Kemi marrë frytin e dy viteve punë, secili ka marrë çka meritonte nga i pari deri te i fundit i punës. Kemi merituar gjithçka.
Gjendja para rikthimit – Jemi në gjendje shumë të mirë. Do kemi dy mungesa për shkak të kartonave, Malotën dhe Aleksin. Pjesa tjetër e ekipit është në rregull, edhe afrimet e reja janë në formë.
Prisni Laçin – Është një ndeshje goxha e vështirë për ne. Ndeshjen e parë në Laç nuk u paraqitëm mirë, ne kemi forcën dhe të marrim më të mirën. Pas fitimit të Superkupës kemi besim te klubi dhe lojtarët, por kampionati është ndryshe.
Synimet pas tre trofeve – Duhet të ruajmë titullin, kjo është kryesorja. Grupi është i plotë dhe kemi zëvendësuar lojtarët e larguar, Fernando e njeh lojën sepse rikthehet pas gjashtë muajve.
Keni nevojë për afrime? Do bëj më të mirën me lojtarët që kam në dispozicion. Çdo ekip ka ulje-ngritje, tani na duhet më shumë kujdes sepse nuk lejohen hapa fals”, tha Tetova.