“Qendrat e emigrantëve në Shqipëri janë gati për të funksionuar!”- Giorgia Meloni për kampet e ndërtuara në vendin tonë: Gjykata u shpreh pro qeverisë
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në një konferencë për shtyp, ka deklaruar se qendrat e pritjes së emigrantëve në Shqipëri janë gati për të funksionuar.
Meloni tha se Gjykata e Lartë e Kasacionit është pozicionuar pro qeverisë italiane, duke theksuar se i takon asaj të përcaktojë se cilat vende janë të sigurta.
“Për sa na përket neve, qendrat në Shqipëri janë gati për të funksionuar. Fatmirësisht vitin e kaluar zbarkimet u ulën me 60% dhe ditët e fundit pothuajse janë zhdukur. Por qendrat janë gati të aktivizohen”, tha Meloni.
Meloni tha se gjykata e drejtësisë e BE-së do të nisë shqyrtimin e çështjes në shkurt, duke shtuar se shumica e vendeve anëtare të BE ranë dakord me Romën për kampet shqiptare.
Meloni arriti një marrëveshje me kryeministrin Rama vitin e kaluar për të sjellë në Shqipëri emigrantë të parregullt që shkojnë në Itali.