Fri, Jan 10, 2025

“E qëllova unë!”- Motiv hakmarrja? Zbardhet vrasja e biznesmenit shqiptar në Itali, bashkatdhetari: E prita në një zonë të errët

  • PublishedJanuary 10, 2025

Është zbardhur vrasja e biznesmenit shqiptar në Itali, 53-vjeçarit Artan Kaja, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë.

Siç shkruajnë mediat italiane, Kaja nuk ka vdekur nga një atak në zemër, ashtu siç u raportua fillimisht, por nga të shtënat me armë zjarri. Nga hetimet policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar, 50 vjeç, i cili mësohet se është një mik dhe bashkatdhetar i viktimës.

Mësohet se ai është vetëdorëzuar në polici një ditë pas ngjarjes dhe ka rrëfyer krimin nën shoqërinë e avokatit të tij, por policia e ka arrestuar pas verifikimeve.

Vrasësi i dyshuar ka treguar se ishte ngjitur mbi një mur të ulët që rrethonte kompaninë dhe kishte pritur Artanin në një zonë të errët dhe të shkretë pranë të fabrikës së letrës, si dhe se nuk kishte kamera vëzhgimi. Ai tregoi se këtu tërhoqi këmbëzën dhe kreu krimin.

50 vjeçar, po ashtu punonte me viktimën dhe ishte me profesion shofer kamioni.  Sipas asaj që ka dalë deri tani, disa javë më parë të dy kishin pasur një debat të ashpër për çështjet e punës dhe ngjarja tragjike mund të ketë ardhur si shenjë hakmarrje ndaj viktimës.

Mediat italiane raportojnë se për momentin nuk është gjetur ende arma e vrasjes.

Trupi i pajetë i Kajës u gjet pak pas orës 20:00 të së martës, 7 janar, pranë një magazine të kompanisë, i shtrirë në tokë. Artan Kaja, i njohur nga të gjithë si Toni, punonte në kompaninë Smurfit për shumë vite dhe ishte përgjegjës për lëvizjen e paletave të materialit të bërë dhe të përdorur në fabrikën e letrës.

Mbrëmjen e ngjarjes ishte gruaja e tij, Aurora, ajo që ngriti alarmin, duke mos e parë atë të kthehej në shtëpi në një kohë kur burri zakonisht kishte lënë punën.

Pasi e kishte telefonuar disa herë të shoqin, por nuk kishte marrë një përgjigje, ajo mësohet se kishte njoftuar policinë dhe shkuar vetë drejt magazinës ku ai punonte.

Çifti, i cili kishte dy fëmijë të quajtur Manuel dhe Alessio, në fakt jetonte disa qindra metra larg kompanisë, ku dhe gruaja punonte në sektorin e pastrimit.