Sun, Jan 12, 2025

Te Partizani duan ta kenë në fushë, “problematikun” Sodiq e presin në Nigeri për kombëtaren

  • PublishedJanuary 12, 2025

Partizani po kalon një situatë shumë të pazakontë me afrimin më të fundit të të kuqve, Sodiq Ismail. Mbrojtësi pritej të ishte zëvendësuesi i Hadrojt dhe një investim i rëndësishëm për të kuqtë, por ngjarjet po marrin çdo ditë e më shumë një rrjedhë aspak normale.

Të kuqtë kanë bërë të ditur se ai ka firmosur, por tashmë refuzon të stërvitet me ta. Arsyeja është një ofertë që raportohet se ka marrë nga Partizani i Beogradit dhe e ka bërë të ndryshojë mendje rreth aktivizimit në Shqipëri, duke pretenduar të shkojë te klubi serb.

Por sikur të mos mjaftonte kjo, në ekuacion është shtuar edhe një e panjohur që ka lidhje me ftesën që i është bërë për të marrë pjesë në Kampionatin e Kombeve Afrikane me Nigerinë. Turneu në fjalë është i veçantë, pasi të gjithë lojtarët pjesëmarrës duhet të jenë nga kampionatet lokale të skuadrave të tyre dhe jo të luajnë në shtete të tjera.

Emri i Sodiq Ismail është në listën e Nigerisë dhe mediat atje raportojnë se futbollisti pritet t’i bashkohet ekipit. Një gjë e tillë do të ndodhë vetëm nëse mbrojtësi nuk do të kishte firmosur me Partizanin, pasi përndryshe rregullorja nuk e lejon të marrë pjesë në aktivitet. Një situatë e pazakontë që i shtohet lëmshit të krijuar për mbrojtësin në fjalë, i cili nuk është prezantuar ende zyrtarisht nga Partizani pas kësaj kaosi të krijuar rreth tij.


AlbaniaWeb.net