Disney përballet me padi për vjedhjen e skenarit, 10 miliardë euro dëmshpërblim
Animatori Buck Woodall ka paditur Disney-n për vjedhjen e pjesëve të skenarit të tij për filmin e animuar “Moana 2”. Në padinë e ngritur në gjykatën federale të Kalifornisë, Woodall pretendon se Disney ka përdorur skenarin që ai kishte shkruar për një film tjetër të quajtur “Bucky”. Sipas tij, të dy skenarët zhvillohen në një fshat legjendar polinezian dhe ndajnë një tematikë të ngjashme, duke përfshirë të rinjtë që përpiqen të shpëtojnë shtëpitë e tyre dhe ndeshen me kafshë shpirtërore gjatë udhëtimit.
Padia ka ardhur pas një seance gjyqësore në nëntor, kur një gjykatë e liroi Disney-n nga një padi të ngjashme që Woodall kishte ngritur për filmin e parë “Moana”, duke theksuar se ai kishte vonuar shumë për të paraqitur padinë. Megjithatë, premiera e “Moana 2” i dha mundësinë Woodall të rinisë procedurat ligjore.
Në padinë e tij, Woodall përmend se ai ia kishte prezantuar skenarin dhe materialet e filmit “Bucky” Jenny Marchick, një ish-ekzekutive në Mandeville Films, e cila tani është në DreamWorks Animation. Woodall pretendon se Marchick kërkoi materialet dhe se e siguroi që ajo mund të jepte dritën jeshile për projektin.
Për këtë arsye, Woodall kërkon një dëmshpërblim prej 10 miliardë dollarësh, që përbën 2.5% të brutosë së filmit “Moana”, si dhe një urdhër për të parandaluar shkeljen e mëtejshme të të drejtave të tij të autorit.
Në anën tjetër, regjisori i “Moana”, Ron Clements, ka pohuar se filmi i Disney-t nuk është frymëzuar nga “Bucky” dhe se nuk ka asnjë lidhje me të.