Fri, Jan 17, 2025

Si ‘qepen’ me porosi ligjet për interesat e “strategjikëve”! Vetting: Manovrat dhe tentativat për t’i shpëtuar SPAK!

  • PublishedJanuary 16, 2025

Si ‘qepen’ me porosi ligjet për interesat e “strategjikëve”! Vetting: Manovrat dhe tentativat për t’i shpëtuar SPAK!

EMISIONI VETTING

Në shkurt 2024, Kuvendi do të miratonte ndryshimet në ligjin e Prokurimeve Publike, duke sjellë disa ndryshime që do të kundërshtoheshin nga organizatat jofitimprurëse pasi kishte cënim të konkurrencës duke kufizuar garën.

Si rrjedhojë e ndryshimit të ligjit të Prokurimeve Publike në shkurt 2024, ku në nenin 52, pika 2 është vendosur me dispozitë kalimtare që brenda një periudhë 3-vjeçare nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave mund të autorizojë institucionet publike në nivel qendror të negociojnë drejtpërdrejt dhe të lidhin marrëveshje konsulence me kompani ndërkombëtare brenda fushës së tyre në sektorë me interes strategjik.

Sipas kryetares së Komisionit për Integrimin e Europian Jorida Tabaku në prokurimet publike nuk ka më konkurrencë.

“Mungesa e konkurrencës nuk ndikon vetëm në procesin e integrimit, por në cdo proces tjetër konkurrenca është një element kyc që duhet të ketë garë dhe mungesa e garës ka sjellë përqendrimin e ekonomisë në pak duar”, tha deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku.

Por Komisioni Europian e ka kritikuar ndryshimin, i cili imponon negociata nga institucionet publike për të realizuar tenderat për konsulencën pasi eleminon konkurrencën, duke privuar garën.

Sipas progres raportit të 2024, neni i përfshirë në ndryshimin e ligjit të Prokurimeve Publike ngre shqetësime për plotësimin e kushteve nga Shqipëria për integrimin në BE, si edhe për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.

Sipas ekspertit ligjor Gjergji Vurmo, zyrtarët e lartë duke iu druajtur SPAK-ut nuk e shkelin më ligjin, por tentojnë rrugë të tjera. “Ata nuk shkelin më ligjin, por ata e ndryshojnë ligjin dhe e ndryshojnë në mënyrë të tillë që interesat që ata duan të mbrohen, gjithsesi të bëhen.”, tha eksperti Vurmo.

Prej viti të kaluar, Këshilli i Ministrave ka miratuar të paktën 3 vendime, ku ka autorizuar institucionet publike, që të lidhin kontrata konsulence me negocim të drejtëpërdrejtë në vlera të larta.

Një nga këto autorizime i është dhënë Autoritetit Portual të Durrësit për të lidhur një marrëveshje konsulence me negocim të drejtpërdrejtë me kompaninë hollandeze “Royal Haskoning DHV” për proceset e konkurrimit, kontraktimit, ndërtimit dhe mbikëqyrjes së portit të ri të integruar të Durrësit në Porto-Romano.

Dy autorizimet e tjera sipas të njëjtës procedure i janë dhënë ministrisë së Drejtësisë, ku sipas vendimeve, qeveria shqiptare ka autorizuar ministrin Ulsi Manja që të lidhë kontrata konsulence me dy kompani të huaja. Njëra nga kompanitë është “Boston Consulting Group”, e cila do të këshillojë Ministrinë e Drejtësisë në luftën kundër korrupsionit ndërsa vendimi i dytë lidhet me kompaninë “G37 Chambers”, që do të këshillojë ministrin Ulsi Manja në luftën kundër kriminalitetit.

Pra, në këtë rast qeveria vendosi se kush do e merrte tenderin duke hequr garën nën pretekstin se këto janë interesa strategjike.

Duke analizuar raportet e Agjencisë së Prokurimit Publik për 10 vitet e fundit, “Vetting” ka zbuluar se kemi të njëjtat probleme në fushën e prokurimeve. Një ndër problemet kryesore është mosplotësimi i formularëve të konfliktit të interesit, ku investigimet e “Vetting” kanë treguar se si zyrtarët e lartë nëpër këto institucione u kanë dhënë tendera në konflikt interesi personave të afërm apo të lidhur ekonomikisht.

Vazhdimisht në raporte theksohet se janë kualifikuar kompanitë në kundërshtim me kërkesat e kualifikimit në dokumentat e tenderit dhe përzgjedhje e pajustifikuar e procedurës së prokurimit “Me negociim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, duke mos argumentuar kushtet që duhet të plotësohen për përdorimin e kësaj lloj procedure.

Në analizën e dokumenteve vërehet mungesa e argumentimit të specifikimeve dhe kritereve të veçanta të kualifikimit dhe vendosja e kritereve për kualifikim që nuk përputhen me kategorinë e prokurimit, të tilla si kërkesa për kategori licence,

Sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preci mungesa e ekspertizës, mungesa e vullnetit politik për të përmbushur funksionet e veta, si agjencitë shtetërore kam parasysh konfliktet e interesave, ka bërë që edhe vendimmarrja të orientohet drejt një numri të kufizuar kompanish.

“Agjencitë rregullatore në këtë fushë sic është Komisioni i Prokurimit Publik dhe agjencitë e tjera, duke përfshirë dhe agjencitë inteligjente, që kanë për detyrë të gjurmojnë fenomene negative që ndodhin, shkeljet e ligjit, lënë shumë për të dëshiruar dhe janë shumë larg pritshmërive”, u shprej eksperti i ekonomisë Zef Preci.

Aktualisht sipas buxhetit 2025, qeveria ka shkurtuar shpenzimet për shëndetësinë dhe arsimin.

Kujtojmë se banorët e një prej vendeve më të varfra në Europë paguajnë 60% të shpenzimeve për shëndetin nga xhepi i tyre ndërkohë që qeveria shkurton buxhetin për të akorduar fonde konsulence me kompani, të cilat më së shumti kanë si synim lobimin në arenën ndërkombëtare.