Mon, Nov 25, 2024

Detaje të reja për kafkën e gjetur në Berat, punonjësi i varrezave: Në qese ishin edhe eshtra të tjera. Pjesa e brinjëve dhe…

  • PublishedJune 10, 2023

Mesditën e djeshme u raportua se një kafkë ishte gjendur e hedhur pranë një prej varrezave të qytetit. Kafka u gjet pranë varrezave të Burdulliasit dhe ndodhej brenda një qeseje plastike. Por sot kanë dalë të tjera detaje tronditëse në lidhje me këtë ngjarje.

Gazetarja Eneida Petova raporton se ka qenë punonjësi i varrezave të Burdulliasit, Tomorr Nure, ai që e gjeti dhe e hapi qesen, i cili konfirmon se brenda qeses nuk ishte vetëm kafka, por edhe pjesë të tjera të eshtrave.

Nure ka deklaruar se në qese ndodheshin edhe disa pjesë brinjësh dhe gjymtyrë dhe se në eshtrat e këmbëve ishin veshur çorape.

Punonjësi Tomorr Nure ka pohuar se ka qenë ora rreth 11:00 – 11:15 minuta kur ai duke pastruar ka gjetur një qese plastike të mbuluar me gjethe.

Ai konfirmon se menjëherë ka njoftuar përgjegjësin dhe policinë, që erdhën dhe i morën eshtrat. Nure, duke shpjeguar edhe mënyrën e zhvarrosjes së eshtrave, konfirmon se eshtrat nuk i përkasin varrezave të Burdulliasit dhe se nuk janë zhvarrosur nga asnjë varr i këtyre varrezave.

Kafka dhe eshtrat trupore janë transportuar pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, kur nëpërmjet analizave të ADN-së do të përcaktohet identiteti i saj.

Nga vëzhgimi paraprak dyshohet se eshtrat ishin ekspozuar ndaj flakëve, por nuk dihet ende fati i mbetjeve të tjera trupore.

Policia është duke punuar nëpërmjet kamerave të sigurisë të shtëpive e bizneseve përreth varrezave dhe në dalje të rrugës nacionale, për të zbuluar identitetin e shtetasit që e ka hedhur këtë qese brenda pranë varrezave.

Po kështu edhe brenda varrezave duket se ka kamera të instaluara, por nuk konfirmohet nëse këto kamera punojnë apo edhe nëse punojnë a e kanë rrezen e mjaftueshme për të parë sipërfaqen ku është hedhur qesja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.