Belgjika shkarkon Tedesco-n, në stol pritet të ulet ish sulmuesi i famshëm i “Gjelave”
Belgjika ka shkarkuar trajnerin Domenico Tedesco pas një sërë rezultatesh zhgënjyese në muajt e fundit.
Vendimi ishte parashikuar gjerësisht për javë të tëra, veçanërisht pasi Tedesco nuk u paraqit në shortin për Kualifikueset e Kupës së Botës 2026 në dhjetor, por u zyrtarizua vetëm pas një takimi të shoqatës belge të futbollit këtë të premte.
Tedesco, i cili kishte kontratë deri në vitin 2026, largohet pasi Belgjika u eliminua nga Kampionati Europian në fazën e 1/8-ave dhe më pas përfundoi e treta në grupin e Ligës së Kombeve në gjysmën e dytë të 2024, duke fituar një nga gjashtë ndeshje.
Pozicioni i tij u bë i paqëndrueshëm pasi Belgjika humbi ndaj Izraelit në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve në nëntor.
Aventura e Tedescos filloi shkëlqyeshëm pa humbje në 13 ndeshjet e tij të para në krye, pasi mori drejtimin nga Roberto Martinez pas Kupës së Botës 2022 në Katar.
Në 10 ndeshjet e fundit të Tedescos, Belgjika arriti vetëm dy fitore, duke u lëkundur në fazën e grupeve në Euro 2024 dhe duke performuar dobët në Ligën e Kombeve.
Mediat belge kanë spekuluar ditët e fundit për një pasardhës të mundshëm, duke përfshirë një rikthim të Thierry Henry, i cili shërbeu si asistent i Martinez.