Deficiti tregtar i Shqipërisë thyen rekord historik, arrin në 5.2 miliardë euro
Eksportet e Shqipërisë pësuan rënie për vitin e tretë radhazi gjatë vitit 2024, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave. Rënie u shënua në të gjitha grupmallrat, ku më e theksuara ishte rënia te energjia dhe mineralet me 24% dhe materiale ndërtimi e metale me 22%. Grupi veçanërisht i rëndësishëm sa i përket punësimit, Tekstile dhe këpucë, i cili historikisht ka pasur peshën kryesore në eksportet e vendit, pësoi një rënie në masën 17%.
Rënia e eksporteve ka nisur në vitin 2023, pas rritjes së shpejtë gjatë krizës së vitit 2022, kur çmimet e lëndëve të para në tregun ndërkombëtar u rritën fort për shkak të Luftës në Ukrainë. Por gjatë vitit 2024, eksportet ishin pothuajse në nivelin e vitit 2021. Rënia e eksporteve përgjatë këtyre dy viteve ka shumë faktorë, ku përfshihet rënia e çmimeve të shitjes në tregun ndërkombëtar si dhe forcimi i lekut kundrejt euros, forcim që ka pjesërisht efekt aritmetikor (llogaritë e tregtisë së jashme mbahen në lekë dhe një sasi mallrash e shitur në euro vitin e kaluar vlen më pak lekë sot) dhe gjithashtu ka për efekt humbjen e konkurrueshmërisë së mallrave shqiptare në tregjet ku eksportohen.
Rënia më shqetësuese duket se është në grupin e mallrave Tekstile dhe këpucë, sektor që gjatë vitit të kaluar eksportoi mbi 1 miliardë euro mallra dhe ishte përgjegjës për 28% të të gjitha eksporteve. Ky është sektori veçanërisht i rëndësishëm nga pikëpamja sociale në Shqipëri për shkak të numrit të madh të punonjësve dhe faktit që fabrikat fason sot operojnë në zona periferike dhe qyteza të vogla, ku rëndësia e tyre për ekonominë lokale është e madhe. Eksportet e këtij sektori janë sot pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2020, vitin e pandemisë kur një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik ishte e paralizuar.
Shqipëria eksportoi në total 372.6 miliardë lekë mallra. Ndërsa eksportet ranë, importet u rritën. Importet arritën në 894.4 miliardë lekë me një rritje nominale prej 2.5%. Efekti i kursit të këmbimit në rastin e importeve sugjeron se rritja reale është më e lartë se sa kaq. Leku shqiptar është forcuar me rreth 10% kundrejt euros, monedha kryesore e tregtisë së jashtme të vendit. Në rastin e importeve, kjo do të thotë se rritja reale është rreth 12% ndërsa në rastin e eksporteve, rënia reale nuk është 15.4 por rreth 5%.
Deficiti tregtar i vendit arriti në 522 miliardë lekë ose rreth 5.2 miliardë euro. Ky është deficiti më i lartë tregtar i shënuar ndonjëherë në Shqipëri.